Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë: “MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE: TRADITA, GJËNDJA DHE E ARDHMJA”

conference njoftime Njoftime FSHH

Me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, në bashkëpunim me Universitetin e Gjuhëve të Huaja, Pekin, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër organizoi konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: “MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE: TRADITA, GJENDJA DHE E ARDHMJA”.

Konferenca u fokusua në traditën, realitetin dhe perspektivat e marrëdhënieve midis vendeve tona, duke patur qëllim paraqitjen dhe elaborimin e opinioneve akademikë në problematikat:

  1. Çështje kulturore duke u orientuar kryesisht tek “Imazhi i Kinës në përfytyrimet shqiptare”, “Studimet për Shqipërinë në Kinë dhe ato për Kinën në Shqipëri” dhe “Filmi shqiptar në Kinë”;
  2. Çështje të historiografisë dhe diplomacisë me fokus: “Roli i diplomacisë kino-shqiptare në raportet ndërkombëtare”, dhe “Marrëdhëniet kino-shqiptare në të gjitha periudhat historike”;
  3. Çështje të lidhjeve ekonomike me fokus : “Ndihmat kineze për Shqipërinë”, “Ndryshimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve” dhe “Shqipëria në kuadër të nismës ‘17+1’ dhe të nismës ‘Një brez, një rrugë’.

Kumtesat u paraqitën në gjuhët shqipe, anglishte dhe kinezishte.

Konferenca u zhvillua nën kujdesin e Komitetit shkencor  të përbërë nga: Prof. Dr. Roland Zisi, Akademik Shaban Sinani, Prof. Dr. Bektash Mema, dhe Prof. Dr. Ke Jing dhe grupit organizator të përbërë nga Prof. Asoc. Valbona Duri, Dr. Eva Çipi, Dr. Mariglena Meminaj, Dr. Artan Xhaferraj, MSc. Eloina Tozaj.

Punimet u zhvilluan në datat 12 tetor në sallën “Rilindja” dhe bibliotekën e FSHT, pranë UV, dhe në datë 13 tetor në sallën e senatit të Universitetit “ Eqrem Çabej”, Gjirokastër.

Referatet dhe kumtesat e pjesëmarrësve të cilët ishin të ardhur nga bota diplomatike dhe akademike, ishin grupuar në:

  • Sesionin kryesor, të zhvilluar në sallën “Rilindja”. Në këtë sesion punimet e konferencës nisën me përshëndetjen e Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. dr. Roland Zisi, si dhe përshëndetjet e përfaqësuesit të Universitetit të Gjuhëve të Huaja, Pekin, prof. dr. Wang Dinghua, Kryetar i këshillit të universitetit, të Ambasadorit të RP të Kinës në Shqipëri H. E. Zhou Ding dhe të përfaqësuesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Shaban Sinani. Në përshëndetjet u theksua tradita e miqësisë dhe marrëdhënieve të mira midis popujve dhe kulturave shqiptare dhe kineze. Gjithashtu në këtë sesion referuan prof. dr. Paskal Milo, me temën “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në gjeopolitikën e Ballkanit perëndimor”, prof.dr Ke Jing, me temën “Restaurimi i Kodikëve të Beratit, një histori e paharrueshme”, prof. as. Xu Gang me temën  “Sinergji midis nismës ‘Një brez, një rrugë’ dhe strategjive të zhvillimit të Shqipërisë; statusi dhe perspektivat” dhe ambasador Hajdar Muneka me temë “Ndihma e Shqipërisë për kthimin e Kinës në OKB – simbol i miqësisë shqiptaro-kineze”.
  • Sesionin II me temë ekonomi dhe politikë, gjithashtu të zhvilluar në sallën “Rilindja”, me moderatorë prof. dr. Petrit Nathanaili dhe prof. dr. Ke Jing
  • Sesionin III me temë ekonomi dhe politikë, gjithashtu të zhvilluar në sallën “Rilindja”, me moderatorë prof. dr. Gjergj Pendavinji dhe prof. as. Chen Fenghua
  • Sesionin IV me temë gjuhë dhe kulturë, gjithashtu të zhvilluar në bibliotekën e FSHT, me moderatorë prof. dr.Emil Lafe dhe msc. Tomislav Perusic.
  • Sesionin V me temë gjuhë dhe kulturë, gjithashtu të zhvilluar në bibliotekën e FSHT, me moderatorë prof. dr.Ksenofon Krisafi dhe msc. Preng Dongli.
  • Sesionin VI. Seanca përmbyllëse, e mbajtur në sallën e senatit të Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, me moderatorë prof. dr.Valbona Duri dhe akademik Shaban Sinani.

Konferenca u zhvillua me sukses dhe evokoi në frymën miqësore dhe bashkëpunuese midis dy popujve tanë dhe dy kulturave tona akademike dhe politike, si dhe vuri në dukje se duhet bërë më shumë në ngritjen e urave të komunikimit midis dy popujve, si investim strategjik përballë sfidave të të ardhmes.