FAKULTETI I SHËNDETIT PUBLIK

PËRSHËNDETJA PËR VITIN AKADEMIK 2020-2021

 

Të dashur studentë!

Ju uroj të gjithëve suksese në rrugën që keni nisur! Rruga e formimit si personel shëndetësor është një rrugë e gjatë dhe e vështirë – dhe Fakulteti i Shëndetit në Universitetin e Vlorës ndjehet i privilegjuar që ju dhe prindërit tuaj na e besuat ne edukimn tuaj në fushën e shëndetit. Jemi duke kaluar një situatë shumë të vështirë dhe shumë gjëra nuk do të mund ti bëjmë dot ashtu si do të donim dhe si i kemi bërë në kushte normale, por gjithsesi, stafi i Fakultetit të Shëndetit, në veçanti koordinatorët me studentët dhe koordinatorët e praktikave, po punojnë intensivisht që ju të keni mundësi të merrni maksimumin e mësimnxënies që mund të merret në situatën që po kalojmë.

Sipas vendimit të fundit të Senatit Akademik të UV, gjithë leksionet dhe seminaret do të zhvillohen online, ndërsa praktikat klinike do të kryhen pranë spitaleve në qytetet ku banoni. Gjithashtu kemi hartuar një plan akademik për zhvillimin e laboratoreve të infermierisë dhe anatomisë për vitin e parë, duke respektuar rregullat anti-Covid.

Për fat të keq nuk kemi mundësi të zhvillojmë takime në auditor për t’ju informuar dhe sqaruar për procesin mësimdhënës, por gjithë informacionet do t’ua nisim në rrugë elektronike. Ju lutem të gjithë studentëve të aktivizojnë adresat elektronike (@univlora.edu.al) që IT e Universitetit tonë ka hapur për çdo student. Këto adresa elektronike janë guri i themelit i komunikimit me të gjitha hallkat e mësimdhënies. Nëpërmjet tyre do të mund të rregjistroni lëndët tuaja semestrale në shërbimin ëeb Google Classroom, ku do të gjeni të depozituara gjithë leksionet e rregjistruara online, do të merrni materiale didaktike, detyra, vlerësime, do të dërgoni pyetje dhe do të mund të bëni takime virtuale me pedagogët tuaj. Nëpërmjet këtyre adresave do të mund tu shpërndajmë gjithë informacionin që do t’ju nevojitet për procesin e mësimdhënies në kohë reale. Qëndroni gjithashtu në kontakt me llogarinë e Fakultetit të Shëndetit në Facebook, që të mund të përditësoheni me zhvillimet e fundit dhe të paraqisni kërkesat tuaja.

Mobilizoni energjitë tuaja dhe qëndroni vazhdimisht në kontakt me platformat tona elektronike – së bashku do mund ti realizojmë të gjitha objektivat akademike që kemi për ju këtë vit mësimor!

Edhe njëherë vit të mbarë akademik dhe shumë suksese në rrugën e formimin tuaj si infermierë të aftë për tregun kombëtar dhe ndërkonmbëtar të punës!

 

DEKANIA E FAKULTETIT TË SHËNDETIT

Prof.asoc.Aurela Saliaj

 

 

Guida e FSHP-2020

Guida e FSHP-2020 – Bsc Infermieri e Pergjithshme

Guida e FSHP-2020 – Bsc Infermieri Mami

 

 

 

Të dashur studentë të Fakultetit të Shëndetit Publik!

Më lejoni së pari të përgëzoj zgjedhjen tuaj për të ndjekur studimet në fushën e shkencave infermierore dhe t’ju falenderoj që edukimin tuaj profesional ia keni besuar Fakultetit të Shëndetit Publik në Universitetin ‘Ismail Qemali’ të Vlorës. Ju siguroj që stafi ynë është tërësisht në dispozicionin që ju të përfitoni maksimalisht nga mundësitë edukative që institucioni ynë ofron.

FSHP disponon laboratore të mirëpajisur, ku ju do të filloni hapat e parë të praktikimit të profesionit tuaj; literaturë akademike të plotë për çdo modul; staf akademik të kualifikuar dhe të përkushtuar; programe mësimore dhe suplemente diplome – të strukturuara në përputhje me kërkesat e agjensive të huaja të punësimit.

Këtë vit për herë të parë, në planin tuaj akademik kemi integruar module profesionale në gjuhën angleze (laboratoret e Bazave të Infermieristikës), eksperiencë që do ta vijojmë dhe zgjerojmë në të ardhmen. Mësimi i gjuhës gjermane po vazhdon në çdo semestër, dhe mendojmë që në vitin e fundit të studimeve të zhvillohen module me pedagogë gjermanë.

Për së pari kemi krijuar një rrjet spitalesh të shërbimit shëndetësor dytësor, në funksion të kryerjes së praktikës mësimore dhe profesionale, ç’ka do ta ulë numrin e studentëve që ushtrohen nëpër reparte, duke u dhënë më tepër mundësi për praktikim individual.

Këtë vit është rritur numri i studentëve tanë që zhvillojnë semestre akademike në Universitete Europiane (në kuadër të programeve të mobilitetit të studentëve) dhe po investohemi seriozisht për përfshirjen në projekte të tjera, në mënyrë që të rrisim sa më shumë numrin e studentëve që trajnohen në teknologjinë infermierore të standartave europiane.

Mundësitë për të zhvilluar kërkim shkencor në programet tona janë të pafundme. Studentët tanë përfshihen në projekte shkencore, jo vetëm nëpërmjet realizimit të temave të diplomave, por edhe duke qenë pjesë e qenësishme e grupeve të punës, të ngritura për hulumtime në të dyja ciklet e studimit. Pjesëmarrja në aktivitete sensibilizuese për edukimin shëndetësor dhe shërbimet komunitare, veçanërisht tek grupet në nevojë, iu jep studentëve mundësinë e praktikimit të promocionit shëndetësor që në bankat e shkollës.

Stafi ynë do të bëj më të mirën që në këto vite shkollimi në Fakultetin e Shëndetit Publik ju të formoheni si profesionistë të nivelit të lartë, të gatshëm për tregun e punës në Shqipëri, Europë dhe USA, por për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët ne shpresojmë dhe bazohemi tek interesimi juaj. Shumë pak mund të bëhet pa bashkëpunimin dhe entuziazmin tuaj për tu përfshirë në veprimtaritë tona akademike. Çdokush prej jush e ka vetë në dorë formimin e profilit të tij akademik, pavarësisht shkollave nga vini apo nivelit formues që keni pasur më parë.

Ju ftoj ti shfrytëzoni maksimalisht të gjitha mundësitë e formimit profesional dhe shkencor që Fakulteti i Shëndetit Publik ju ofron! Uroj që vitet që do të kaloni tek ne të jenë një shans i fituar – guri i themelit, mbi të cilin do të ndërtohet më vonë një histori suksesi!

Pres me kënaqësi të bashkëpunojmë ngushtësisht e me sinqeritet në vitet që na presin!

 

Dekania e Fakultetit të Shëndetit Publik

Aurela Saliaj, Prof.asoc., MD, PhD

 

Fakulteti I Shëndetit Publik

Ky fakultet disponon në ambjentet e tij dy laboratore të sherbimit infermieror, laboratorin e infermierisë bazë dhe një laborator të anatomisë normale. Të dy këta laboratorë janë të kompletuar me një set pajisjesh bazë për të praktikuar procedurat Bazë të Infermieritikës dhe për të lehtësuar përvetësimin e njohurive anatonike bazë. Praktika mësimore është një eksperiencë tjetër e cila ndiqet gjatë tre viteve akademike. Gjatë saj studentet infermierë aplikojne parimet shkencore të infermierisë si dhe përvetësojnë rolin e infermierit në shërbimet shëndetësore. Qëllimi kryesor I praktikës mësimore është nxitja e të mësuarit në rolin profesional në situatë reale, nëpërmjet praktikimit dhe integrimit të njohurive teorike në praktiken profesionale në shërbimet shëndetësore.

 

Departamenti i Infermierisë

Është një nga Departamentet më të vjetër të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, i hapur në kuadrin e Fakultetit të Infermierisë qysh në hapat e para të këtij  Universiteti në vitin 1994.

Gjithnjë e më tepër po rriten kërkesat për një asistencë infermierore bashkëkohore, në përputhje me nevojat e zhvillimit dhe shëndetit komunitar. Spektri i kompetencave infermierore po vjen duke u zgjeruar vazhdimisht dhe programet që ne ofrojmë synojnë formimin e specialistëve të infermieristikës për të sotmen e për të ardhmen.

Departamenti ynë ofron mundësi jo vetëm për formimimin infermieror bazë, por edhe për karrierë infermierore të mëtejshme nëpërmjet diplomave të nivelit të dytë për mastera profesionale dhe shkencorë, ku përfshihen edhe studime në fushën e edukimit dhe menaxhimit infermieror. Diplomat që ofron ky department kanë qenë ndër më të kërkuarat në vite dhe aktualisht në këtë departament studiojnë mbi 500 studentë me kohë të plotë dhe 120 studentë  me kohë të pjesshme.

 

Departamenti i Kujdesit Shëndetësor

Misioni i Departamentit të Kujdesit Shëndetësor, Fakulteti i Shëndetit Publik të Universitetit ‘Ismail Qemali’ Vlorë është të formojë profesionistë shëndeti të të gjitha niveleve akademike, të aftë për tu përshtatur me tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.

Qëllimet e tij janë:

  1. Të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve komunitare.
  2. Të formojë specialistë të lartë në fushën e kujdesit shëndetësor, të kualifikuar dhe të përshtatshëm për tregun e punës në Shqipëri dhe në vende të tjera perëndimore.
  3. Të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi gjatë të gjithë jetës (edukimi në vazhdimësi).
  4. Të ndikojë në shëndetin komunitar nëpërmjet programeve dhe aktiviteteve të promocionit shëndetësor.
  5. Të ndihmojë zhvillimin social në nivel rajonal dhe kombëtar.
  6. Të Integrojë mësimdhënien në Kërkim shkencor.

 

 

Qendra Studimore për Shëndetin Publik

Misioni i Qendrës Studimore për Shëndetin Publik  në FSHP është të vlerësojë, të marri  financime nga granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese ku përfshihen fondet për kërkimin shkencor, të monitorojë dhe të administrojë studimet dhe projektet në fushën e Shkencës dhe të Kërkimit në Fakultetin e Shëndetit Publik.

Gjithashtu, Qendra Studimore e Shëndetit Publik  ka si qëllim menaxhimin e projekteve dhe studimeve në fushën e Shëndetit Publik si dhe transferimin, modernizimin dhe rinovimin e teknologjive të tyre. Qendra do të funksionojë si një strukturë koordinuese për studime dhe projekte brenda Fakultetit të Shëndetit Publik dhe grupeve kërkimore shkencore të njësive të tjera bazë, dhe bashkëpunime me Drejtoritë e Shëndetit Publik dhe Institucione të ngjashme brenda dhe jashtë vendit bazuar në marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale të bashkëpunimit midis Fakultetit të Shëndetit Publik  dhe institucioneve të ndryshme.

Qendra Studimore e Shëndetit Publik për çështjet e përmbajtjes dhe të vlerësimit të studimeve e të projekteve, mbështetet me ekspertizë nga komisionet e përhershme për përcaktimin e politikave të kërkimit shkencor, që propozohen nga Drejtuesi i Qendrës dhe miratohen nga stafi akademik i qendres, në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj qendre

 

Departamenti  i Infermierisë

BSc në Infermieri të Përgjithshme

MP në Infermieri Patologjike

MP në Infermieri Kirurgjikale

MSc në Shkenca Infermierore

Departamenti i Kujdesit Shëndetësor

BSc në Infermieri Mami

MP në Infermieri Pediatrike