njoftime

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) ka kënaqësinë të hapë thirrjen për Konkursin e Artikullit më të mirë

Të dashur studentë,

Me afrimin e Ditës së Europës më 9 maj 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) ka kënaqësinë të hapë thirrjen për Konkursin e Artikullit më të mirë, siç është bërë traditë tashmë prej shumë vitesh. Ftojmë të rinj të grupmoshës 16-30 vjeç, si hulumtues, profesionistë të rinj, gazetarë, studentë e jo vetëm, të kontribuojnë me shkrimet e tyre që pasqyrojnë dimensionet e shumëanshme të identitetit, historisë dhe përparimit europian.

Duke qenë se Dita e Europës qëndron si një festë e paqes dhe unitetit, e rrënjosur në vlerat e përbashkëta të demokracisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit, dhe për shkak të rritjes së konflikteve dhe pasigurisë në rajon së fundi, ju inkurajojmë që artikujt të thellohen në tematikat e mëposhtme (por jo të kufizuara në to):

  • E ardhmja e mbrojtjes europiane dhe forcimi i bashkëpunimit të sigurisë – perspektiva për një politikë të sigurisë të përbashkët dhe roli i BE-së në përballjen me kërcënimet e brendshme dhe të jashtme;
  • Krizat e BE-së dhe ndikimi i tyre në procesin e integrimit europian dhe ruajtjen e demokracisë dhe identitetit europian;
  • Rritja e radikalizmit të djathtë para zgjedhjeve parlamentare në BE dhe ndikimi në stabilitetin politik të unionit;
  • Politikat dhe strategjitë e zgjerimit të Bashkimit Europian – perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Lindore

Përveç këtyre temave, inkurajojmë edhe artikuj që shqyrtojnë çështje të tjera relevante për kontekstin europian dhe të Ballkanit Perëndimor në veçanti.

 

Për punimin e artikullit kini parasysh këto kritere:

  •      Artikulli duhet të ketë nga 1000 deri në 2000 fjalë;
  • Artikulli nuk duhet të jetë i botuar më parë në asnjë modalitet online apo të shkruar;
  • Artikulli nuk duhet të jetë një studim apo kërkim i tillë si detyrë kursi, disertacion, temë diplome etj., por një artikull kërkimor apo reflektim personal;
  • Gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde;
  • Duhet të citohen burimet e referuara sipas formatit APA.

Për më shumë informacion mbi kriteret e shkrimit të artikujve ju ftojmë të lexoni udhëzuesin në faqen EuroSpeak

Artikulli i plotë duhet të jetë i bashkëngjitur e-mailit në formatin Word me emërtimin: “Emër Mbiemër-Titulli i Artikullit” së bashku me një bio të shkurtër (200-300 fjalë) dhe duhet të dërgohen në adresën e e-mailit: info@em-al.org me subjektin: “Konkursi i Artikullit – Dita e Europës 2024” brenda datës 3 maj 2024.

Artikujt më të mirë do të publikohen në portalin online informativ EuroSpeak e do të shpërndahen në rrjetet tona sociale Facebook dhe Instagram .

 

Për artikujt më të mirë të përzgjedhur janë parashikuar disa çmime simbolike.