Njoftim punësimi


NJOFTIM

 

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, bazuar në vendimin  e Bordit të Administrimit Nr.19 datë 14.07.2017, “ Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për punësimin  e personelit administrativ në vendet e lira të punës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë“,  dhe vendimin e Bordit të Administrimit Nr.22 datë 24.07.2017, shpall njoftimin për konkurim të hapur, për vendin e lirë të punës të mbetur i lirë në Universitetin “Ismail Qemali“, Vlorë:

 

 

  1. Specialist Prokurimi në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Prokurimeve me profil Jurist (një vend i lirë) si më poshtë:

 

Lloji i diplomës “Arsim i Lartë” niveli minimal i diplomës “Master Shkencor”

– Paga e grupit sipas nivelit arsimor universitar;

– Shtesë mbi pagën e grupit për vjetërsi në punë në masën 2% për çdo vit pune;

– Kategoria e pagës  IV-a.

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:

 

  1. Është përgjegjës për realizimin korrekt të procedurave të prokurimit publik në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke respektuar afatet e parashikuara në ligj dhe njëkohësisht standardet më të larta të transparencës ndaj publikut për një menaxhim sa më efektiv të fondeve;
  2. Është përgjegjës për dhënien e këshillave, udhëzimeve dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore në fushën e prokurimit publik, me qëllim zbatimin me saktësi të dispozitave ligjore në fuqi;
  3. Është përgjegjës për kryerjen në kohë dhe me cilësi të inspektimit të dosjeve dhe raportimin për monitorimin e procedurave të prokurimit, në përputhje me legjislacionin;

KRITERET E VEÇANTA

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

  1. Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master Shkencor”, në drejtësi. (Diplomat të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave sipas legjislacionit në fuqi).
  2. Të kenë eksperiencë pune në profesion jo më pak se 3 vjet.
  3. Të kenë eksperiencë në fushën e prokurimit publik jo me pak se 3 vjet.
  4. Të kenë aftësi të mira komunikuese dhe të punës në grup.

 

DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë njësisë së burimeve njerëzore të Universitetit ”Ismail Qemali” Vlorë ku ndodhet pozicioni për të cilin ata dëshirojnë të aplikojnë, dokumentet si më poshtë:

  • Kërkesë për ketë pozicion;
  • Jetëshkrim/ C.V;
  • Kopje të noterizuar të diplomës dhe të listës së notave.
  • Kopje të noterizuar të diplomës/ve Master dhe listës së notave.
  • Kopje të noterizuar të librezës së punës;
  • Fotokopje të kartës së identitetit ID;
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Vërtetim i gjendjes gjyqësore, lëshuar nga Gjykata dhe Prokuroria.
  • Referenca nga punëdhënës të mëparshëm, në lidhje me eksperiencën në punë/jo skualifikues;
  • Dëshmi të noterizuara të kualifikimeve;
  • Dëshmi të noterizuara të njohjes së gjuhës së huaj dhe përdorimit të kompjuterit.
  • Deklaratë e kandidatit për mos pasjen e konfliktit të interesit dhe nepotizëm me personelin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që shkarkohet në faqen e U.V;
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
  • Aplikantët të cilët i dorëzojnë dokumentat të pa noterizuara, ose kanë mangësi në dokumentacion skualifikohen menjëherë dhe nuk i nënshtrohen fazës së dytë.

 

Dokumentat duhet të dorëzohen vetëm nëpërmjet shërbimit postar në adresën: Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Zyra e protokollit me shënimin Për procedurën e konkurrimit për specialist prokurimesh në Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

 

FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

  1. Njohuritë mbi ligjin nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”;
  2. Njohuritë mbi ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 ”Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar,
  3. Njohuritë mbi ligjin nr.10296, datë 08.07.2010, “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” i ndryshuar;
  4. Njohuritë mbi të ligjit nr. 7961, datë 12/07/1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar;
  5. Njohuritë mbi ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”.
  6. Njohuri mbi ligjin nr. 8503, datë 30.06.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, i ndryshuar.
  7. Njohuri mbi ligjin nr.9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” ndryshuar;
  8. Njohuritë mbi Vendimin nr. 914 datë 29.12.2014 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar
  9. Njohuritë mbi Udhëzimin nr. 1, datë 21.04.2016 i Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.3 datë 27.01.2015 “Për procedurën e prokurimit me vlerë të vogël”;

 

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen me sistem pikëzimi, për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikatat që vërtetojnë aftësinë, cilësi si dhe përvojë e tyre. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

  • Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
  • Eksperiencën e tyre të mëparshme;
  • Motivimin, aspiratat dhe pritshmërinë e tyre për karrierën.

Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

 

 

Afati që u lihet kandidatëve për të aplikuar është 2 javë kalendarike  nga dita e publikimit të njoftimit në faqen zyrtare të internetit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Njoftimi publikohet dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.

 

Zarfat e ardhur pas këtij afati nuk do t’i kalohen komisionit për vlerësim.