Çmimi Ekselencë për Burimet Njerëzore në Kërkim për UV-në


Kam kënaqësinë t’ju informoj se Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë i është akorduar çmimi Ekselencë për Burimet Njerëzore në Kërkim (HR Excellence in Research) nga Komisioni Evropian më datë 4 dhjetor 2017. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për ne dhe ajo na bën veçanërisht krenarë për tri arsye të rëndësishme.

 

Së pari, kjo arritje finalizon përpjekjet disa mujore të institucionit tonë dhe justifikon punën e kryer nga ai për përgatitjen e dokumentacionit të kërkuar nga KE dhe përpilimin e aplikimit gjatë këtij viti.

 

Së dyti, ky çmim i jep një shtysë të rëndësishme promovimit të UV-së, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, si një institucion në të cilin nxitet një mjedis akademik dhe shkencor serioz, si dhe në përputhje me parimet e punës universitare bashkëkohore dhe evropiane.

 

Dhe së treti, UV-ja është universiteti i parë shqiptar dhe i vetmi që ka fituar këtë çmim, duke ju bashkuar rreth 400 institucioneve të arsimit të lartë në Evropë, të cilat e gëzojnë tashmë atë.

 

Akordimi i çmimit Ekselencë për Burimet Njerëzore në Kërkim  u bë me motivacionin sepse Komisioni Evropian vlerëson se tashmë institucioni ynë i njeh, i pranon dhe i ka bërë pjesë të veprimtarisë së tij praktikat dhe politikat evropiane për burimet njerëzore, dhe në veçanti ato të kërkuesve të rinj, në harmoni të plotë me parimet e Kartës dhe Kodit Evropian për kërkuesit. Kjo dëshmohet në analizën e brendshme përmbledhëse e cila shquan përparësitë dhe mangësitë në këtë drejtim, por edhe planit të veprimit, i cili do t’i parashtrohet Senatit Akademik të UV-së dhe do të zbatohet me rigorozitet duke filluar nga ky muaj.

 

Analiza si edhe plani i veprimit janë në faqen elektronike të UV-së (https://univlora.edu.al/2017/09/23/a-human-resources-strategy-for-researchers-incorporating-the-charter-and-code-university-of-vlora-ismail-qemali-albania/).

 

Ky çmim gjithashtu është një dëshmi reale e përkushtimit të vazhdueshëm të UV-së në përmirësimin e politikave të burimeve njerëzore, të cilat ngërthejnë çështje dhe aspekte që lidhen me punësimin, zhvillimin e karrierës akademike, etikës kërkimore, kushteve të punës, procedurave të promovimit, trajnimit, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë në publik dhe në tregun akademik, bashkëpunimit shkencor, projekteve kërkimore etj.

 

UV-ja ka një strategji konkrete për burimet njerëzore dhe kërkuesit dhe është e vendosur ta zbatojë atë me devotshmëri dhe profesionalizëm në kërkim të përmbushjeve të detyrave dhe angazhimeve në planin e veprimit dy-vjeçar dhe vlerësimit të jashtëm nga ekspertë ndërkombëtarë pas tri vitesh.

 

Zbatimi konkret i strategjisë sigurisht që kërkon një gjithë përfshirje të disa strukturave akademike dhe administrative në UV. Megjithatë, ky institucion nënvizon ambiciet për zbatimin e tij në linje me zotimet e ndërmarra në planin e veprimit, por njëkohësisht edhe në përputhje me disa prej rekomandimeve të lëna për të ardhmen nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë gjatë procesit të akreditimit, përmbushja e të cilave ngelet një prioritet i ngutshëm i UV-së në kohë dhe në cilësi. Në këtë kuadër, çmimi Ekselencë për Burimet Njerëzore në Kërkim është një ndihmesë dhe, patjetër, një shtysë e rëndësishme për plotësimin e tyre.