Më 22 dhe 23 janar 2024, Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë në bashkëpunim me Sektorin e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë pranë Universitetit të Vlorës organizuan pranë ambjenteve të Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” dhe ambjenteve të Fakultetit të Ekonomisë, takimet informuese dhe sensibilizuese me studentët e viteve të para të Fakulteteve të Shkencave Teknike dhe Natyrore, Ekonomisë dhe Fakultetit të Shëndetit.
Gjatë sesionit të parë të aktivitetit, studentët u informuan mbi instrumentat që UV përdor për sigurimin e brendshëm të cilësisë si dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre në procesin e përmirësimit të vazhdueshëm të programeve të studimit, duke garantuar kështu rritjen e Kulturës së Cilësisë tek aktorët e brendshëm. Ky aktivitet vjen në linjë me zbatimin e Standardeve dhe Kritereve të Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 824, datë 24.12.2021: Standardi V.5, Standardi VI.1, Standardi VI.2, Standardi VI.3, Standardi VI.4, Standardi VI.5, si dhe në përmbushje të aktiviteteve të parashikuara në Planin e Punës të NJSBCVI 2023-2024.
Në sesionin e dytë, studentët u informuan mbi programin e shkëmbimit Erasmus+ si dhe mundësitë që ky program ofron për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të UV-së, procedurat dhe dokumentat e nevojshme për aplikim si dhe ndarja e eksperiencave pozitive të mëparshme si student Erasmus+.
Në Universitetin e Vlorës 1 në 13 studentë, së paku një herë brenda një cikli studimi, mund të jetë student Erasmus+ në një nga universitetet partnere. Universiteti i Vlorës aktualisht është partner në 137 Marrëveshje Ndër-institucionale me Universitete Ndërkombëtare nga 22 shtete të BE-së, nga ku përgjatë viteve 2016-2023 ka realizuar në total 931 shkëmbime hyrëse dhe dalëse nga ku 236 shkëmbime studentore dhe 695 shkëmbime stafi.