njoftime

REKTORI I UNIVERSITETIT TË SHKENCAVE TË APLIKUARA TË SHËNDETIT, TYROL, AUSTRI, PROF. WALTER DRAXL, VIZITON UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË

Ditën e martë, datë 30. 01. 2024,  Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij, Rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, Prof. Dr. Walter Draxl, i cili shoqërohej nga  Dekania  e Fakultetit të Infermierisë, Prof. Dr. Waltraud Buchberger dhe nga  Prof. Nertila Podgorica.

Në takim ishin të pranishëm Zëvendësrektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional në UV, Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, Dekania e Fakultetit të Shëndetit, Prof. Aurela Saliaj, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore, znj. Eloina Tozaj si dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve, znj. Rezarta Sinanaliaj. Të dy rektorët dhe të panishmit në këtë takim shkëmbyen ide dhe eksperienca akademike nga jeta institucionale dhe arsimore e tyre duke u fokusuar në objektivin e përbashkët të krijimit të kushteve më të mira profesionale dhe pedagogjike për studentët të cilët janë faktori kryesor që mundëson bashkëpunime të tilla.

Vizita e delegacionit nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, kishte si qëllim kryesor hartimin e planit ndërinstitucional të veprimeve me karakter akademik dhe administrativ, në kontekstin e implementimit në praktikë të projekteve të përbashkëta, në kuadër të Programit Erasmus +, me fokus kryesor zhvillimin e praktikave infermierore të studentëve të UV, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, falenderoi Rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, Prof. Dr. Walter Draxl, për interesin e treguar për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, përmes vizitës së tij  të parë në Vlorë, duke e garantuar se kjo vizitë do të çeli siparin e bashkëpunimeve konkrete të cilat do krijojnë kushtet që studentët dhe pedagogët e të dy institucioneve, të përfitojnë kompetenca profesionale cilësore e bashkëkohore.

Të pranishme në takim, dy dekanet e fakulteteve të Infermierisë, respektivisht Prof. Dr. Walter Draxl dhe Prof.. Aurela Saliaj, prezantuan format dhe mënyrat më efikase në funksion të cilësisë së aktiviteteve akademike, të cilat të vendosura në një kornizë të qartë veprimi, do të mundësojnë rezultate frytdhënëse në praktikë.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, Prof. Dr. Walter Draxl, duke e falenderuar Rektorin e UV, Prof. Dr. Roland Zisi, për mikpritjen dhe për gadishmërinë e treguar për bashkëpunime të mëtejshme pohoi se, edhe për universitetin që ai drejton, është kënaqësi të bashkëpunojë me UV, bashkëpunim që sipas tij, do të jetë i fokusuar në kuadër të Programit Erasmus +, me Fakultetin e Shëndetit, nisur nga vet profili i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, i cili do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e praktikave infermierore të studentëve të UV në universitetin që ai drejton, si një rezultat që do të mundësojë fillimisht përqasjen dhe përafrimin e  kurrikulave mësimore mes dy universiteteve.

Pas vizitës në zyrën e Rektorit të UV, delegacioni i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, të shoqëruar nga Dekania Prof. Aurela Saliaj, zhvilluan një vizitë në mjediset e Fakultetit të Shëndetit të UV, për të parë nga afër infrastrukturën e praktikave mësimorë që ofron Fakulteti i Shëndetit.

Kjo ishte vizita e parë e delegacionit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shëndetit, Tyrol, Austri, në UV, e cila inaguroi vargun e projekteve konkrete që do të implementohen në vijimësi mes dy universiteteve.