njoftime Projekte

Takimi i parë i projektit ERASMUS-EDU-2023-CBHE-strand 1, “MORIN-Mobility Recognition for Integration”

Në datat 18-19 janar 2024 u mbajt takimi i parë i projektit ERASMUS-EDU-2023-CBHE-strand 1, “MORIN-Mobility Recognition for Integration”, i cili koordinohet nga Universiteti “Ismail Qemali”. Me fokus njohjen akademike të mobilitetit të studentëve bazuar në rezultatet e të nxënit, MORIN synon të ofrojë një qasje novatore pedagogjike që siguron transparencën e kurrikulës, krahasueshmërinë dhe fleksibilitetin për të përmirësuar procedurat e njohjes dhe transferimit të studimit, si dhe të rishikojë përmbajtjen, metodologjitë dhe vlerësimet lëndore për të siguruar të nxënit me në qendër studentin dhe të orientuar drejt aftësive.

Projekti synon t’i shtojë kurrikulës një dimension ndërkombëtar, global, duke rritur kështu bashkëpunimin midis IAL-ve të BP6 për shkëmbimin e studentëve dhe afrimin e tyre me tregun rajonal të punës. MORIN synon zhvillimin e një qasjeje të përbashkët rajonale për njohjen akademike, ndërkombëtarizimin e kurrikulës përmes rezultateve globale të të nxënit, krijimin e procedurave institucionale për njohjen e krediteve përmes miratimit të një modeli bazuar në rezultatet e të nxënit.

Takimi u përshëndet nga Znj. Ada Ramaj, përfaqësuese e Zyrës Kombëtare “Erasmus”, e cila vlerësoi projektin dhe rezultatet që ka marrë përsipër të arrijë, nga Prof. as. Frosina Londo, e cila në emër të Prof. dr. Roland Zisit, Rektor i UV-së, përshëndeti të pranishmit dhe nënvizoi rëndësinë e projektit në një kontekst të sotëm gjithnjë e më ndërkombëtar në arsimin e lartë në Shqipëri. Në emër të njësisë bazë iniciatore të projektit, takimin e përshëndeti Prof. as. Veneranda Hajrulla.

Projekti, i cili koordinohet nga Prof. as. Armela Panajoti, dekane e FSHH-së, synon të ndërtojë kapacitetet e stafit akademik për përmirësimin e praktikave të njohjes përmes seminareve trajnuese dhe webinareve. Projekti zgjat dy vjet.