njoftime

MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË DHE UNIVERSIDAD NACIONAL DE EDUCACIÓN A DISTANCIA (UNED), MADRID, SPANJË

Në kuadër të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Ismail Qemali, Vlorë, në datën 18. 01. 2024 Rektori i UV Prof. Roland Zisi, zhvilloi një vizitë pune në Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë, Madrid, Spanjë, (Spanjisht: Universidad Nacional de Educación a Distancia, UNED). Ai u prit në zyrën e tij nga Rektori i UNED, Prof. Ricardo Mairal. Kjo vizitë e Rektorit të UV, Prof. Roland Zisi në UNED, Spanjë, u krye pas vizitës që Rektori i UNED, Prof. Ricardo Mairal, zhvilloi në korrik të vitit 2023, në Vlorë dhe në Universitetit “Ismail Qemali, Vlorë, takim në të cilin UNED shprehu interes për bashkëpunim ndërinstitucional dhe zyrtarizimin e kërij interesi në formatin e një marrëveshjeje institucionale.

 

Vlen të nënvizohet në këtë rast se, UNED, Universiteti Kombëtar i Arsimit në Distancë, Madrid, Spanjë është një universitet i mësimit dhe kërkimit në distancë i themeluar në vitin 1972 dhe është i vetmi universitet i drejtuar nga qeveria qendrore e Spanjës. Me seli qendrore në Madrid, Spanjë dhe me kampuse në të gjitha komunitetet autonome spanjolle, UNED ka shumë qendra studimi (filiale) edhe në Evropë, Amerikë dhe Afrikë. UNED lëshon diploma universitare dhe pasuniversitare, kualifikime dhe certifikata, ose kredite të arsimimit të vazhdueshëm (LLL). Me mbi 200. 000 studentë, UNED është universiteti më i madh dhe më i frekuentuar në Spanjë dhe në Europë, i fokusuar në mësimin në distancë i kombinuar me mësimin tradicional në klasë.

(https://en.wikipedia.org/wiki/National_University_of_Distance_Education).

Në këtë takim, UNED dhe UV, në kontekstin e objektivave dhe angazhimeve të përbashkëta të tyre për ndërkombëtarizim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, lidhën një marrëveshje bashkëpunimi (MOU), e cila u nënshkrua nga dy rektorët e institucioneve respektive, Prof. Ricardo Mairal dhe Prof. Roland Zisi. Kjo marrëveshje do të materailizohet në vijim në marrëveshje specifike për secilën fushë partneriteti, të cilat do të mundësonjë kryerjen e veprimtarive të përbashkëta, në procesin e mësimdhënies,  kërkimit shkencor dhe promovimit të kulturave respektive.

(Për më shumë për këtë takim shih: https://www.uned.es/universidad/inicio/en/).

Thelbi kryesor i kësaj marrëveshjeje bazike është përfitimi që do të ketë stafi akademik i UV nga UNED, në fushën e kompetencave dixhitale pedagogjike dhe didaktike, në kontekstin e modelit online të procesit mësimor universitar, (fushë në të cilën UNED është lider), si një trend i ri akademik bashkëkohor, kondicionuar nga efektet e ndërkombëtarizimit universitar,  globalizimit por edhe nga situatat të mundshme bllokuese pandemike, siç ishte rasti i COVID 19.  Në këtë kuadër, marrëveshja mes UV dhe UNED do të favorizojë asistencën dhe këshillimin në çështjet e metodologjisë në distancë dhe teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit të aplikuara në mësimdhënie online, si edhe në çështjet e menaxhimit, administrimit dhe vlerësimit të universiteteve, veçanërisht në modalitetin e vlerësimit të arsimit në distancë.  Marrëveshja do t’i çelë rrugën partneritetit dypalësh në fushën shkencore dhe akademike, në programet e studimit Bachelor, MP, MSH, Doktoraturë dhe Trajnim të Vazhduar (LLL), duke krijuar rrjete kërkimore rreth grupeve akademike me interesave të përbashkëta, të cilat do të mundësojnë shkëmbimin dhe lëvizshmërinë e studiuesve, stafit mësimdhënës, studentëve, menaxherëve dhe personelit të administratës dhe shërbimeve.  Në këtë takim pune ishin të pranishme znj.  Laura Alba-Juez, Zëvendësrektore për Ndërkombëtarizimit dhe Shumëgjuhësinë, znj. Karen Vilacoba, zëvëndësrektore për Marrëdhëniet Institucionale dhe Komunikimit, nga UNED dhe znj. Eloina Tozaj, Drejtore e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore dhe znj.  Rezarta Sinanaliaj, Drejtore e Sigurimit të brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve, nga UV.

 

Në fund të takimit Rektori i UNED, Prof. Ricardo Mairal dhe Rektori i UV, Prof. Roland Zisi u angazhuan për vizita të ndërsjellta institucionale, për komunikime produktive mes grupeve të stafeve akademike që ndajnë interesa të përbashkëta, sipas fushave pedagogjike e kërkimore, për një marrëdhënie efektive mes sturukturave drejtuese të departamenteve dhe fakulteteve respektive si dhe në shkëmbimin e eksperiencave ndërinstitucioanele, në aspektet e manaxhimit administrativ dhe financiar të institucionit.

Më pas, Rektori i UV dhe grupi që e shoqëronte zhvilloi një bisedë pune me znj.  Laura Alba-Juez, Zëvendësrektore e UNED për Ndërkombëtarizimit dhe Shumëgjuhësinë, me fokus krijimin e kontakteve dhe komunikimeve për evidentimin e nevojave të UV në fushën e teknologjive dhe metodikave inavotative pedagogjike dhe didaktike në kontekstin e procesit mësimor online.