njoftime Thirrje

THIRRJE SENSIBILIZUESE PËR BAMIRËSI

Të nderuar studentë!

Të nderuar kolegë pedagogë!

Të nderuar personel ndihmësakademik dhe administrativ!

Dëshiroj që me anë të këtij komunikimi sensibilizues të kërkoj dhe të frymëzoj Solidaritetin Tuaj, në mbështetje të znj.  Elanur OZDUMAN, qytetare e Republikës së Turqisë, studente e Universitetit “Ataturk”, Turqi, e cila, në kuadër të Programit  Erasmus, do t’i vijojë studimet e semestrit të dytë, të vitit akademik 2022-2023, në Universitetin tonë, në programin e studimit Gjuhë Angleze, viti  III. Ajo vjen në Shqipëri (Vlorë), në datën 27 Shkurt 2023.

Siç edhe jeni në dijeni, zona/qyteti Gaziantep ku jetonte Znj. Elanur, fatkeqësisht është shkatërruar prej tërmetit katastrofik të 6 Shkurit të këtij viti në Turqi, por fatmirësisht, ajo së bashku me nënën e saj të sëmurë rëndë, mundën të shpëtonin. Nga ky tërmet ajo ka humbur banesën, të gjitha orenditë shtëpiake dhe gjithçka tjetër materiale e financiare familjare/individuale, përfshirë këtu edhe veshjet personale.

Sipas komunikimit tonë me të, edhe pse e ndodhur në këtë situatë të vështirë mbijetese dhe e tronditur rëndë psikologjikisht, ajo dëshiron t’i vijojë studimet e parashikuara, konform marrëveshjes ndëruniversitare.

Bazuar mbi faktet dhe informacionet e mësipërme, si dhe duke vlerësuar dëshirën dhe kurajën e saj për të vijuar jetën dhe studimet universitare në institucionin tonë, paraprakisht dhe në parim, në emrin Tuaj dhe si Rektor i UV, Znj. Elanur, i kam ofruar dhe premtuar: mikpritje, solidaritet dhe mbështetje humane komunitare dhe institucionale.

Duke qenë i bindur dhe besuar fort në shpirtin solidar, human dhe altruist të gjithsecilit prej nesh, personel akademik, ndihmësakademik dhe administrativ, i lutem gjithë familjes sonë të madhe të UV, që t’i gjendemi pranë Znj. Elanur,  në këtë moment të vështirë të jetës së saj.

Në funksion të këtij qëllimi fisnik dhe bujar, sugjeroj dhe inkurajoj fakultetet, departamentet, strukturat akademike, ndihmësakademike dhe administrative, që të gjithë së bashku, të organizojmë një fushatë bamirësie, përgjatë së cilës, çdo anëtar i familjes së UV, të dhurojë për znj. Elanur, sipas dëshirës dhe mundësisë, ndihma qoftë edhe modeste financiare apo çfarëdo lloj ndihme materiale.

Le t’i themi të gjithë së bashku Znj. Elanur OZDUMAN: mirësevjen në Shtëpinë dhe Familjen e madhe që mban emrin: Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë!  BUJRUM!

P.S. Për organizimin, zhvillimin dhe finalizimin e fushatës së bamirësisë, do t’Ju informojmë, në vijim, vendimarrjen e Rektoratit.

Duke Ju falenderuar përzemërsisht,

Rektori