Aktivitete njoftime

Konferencë: “Për Vlorën – destinacionin turistik konkurrues në Mesdhe” dhe promovim i vëllimit poetik “PIKË”,  të gazetares dhe poetes Alketa Gashi – Fazliu.

Në  datën 27. 11. 2022, në sallën “RILINDJA” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në kuadër të festimeve të 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe themelimit të Shtetit të Parë Shqiptar, u organizua Konferenca: “Për Vlorën – destinacionin turistik konkurrues në Mesdhe”, një bashkëpunim i Unionit të Operatorëve Turistikë të Shqipërisë, Njësive hoteliere dhe Turistike që operojnë në Vlorë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Ky aktivitet u përmbyll me promovimin e vëllimit poetik “PIKË”, të gazetares së njohur të Radio Televizionit të Kosovës, Alketa Gashi – Fazliu, e cila moderoi edhe punimet e kësaj konference.

Ishin të pranishëm në këtë Konferencë, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro, Deputeti i Kuvendit të Shqiperisë, Z. Blendi Klosi, Prefekti i Qarkut Vlorë, Z. Flamur Mamaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Z. Ervis Moçka, Zv. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Vilma Bello, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, Z. Arben Breshani, përfaqësues të Unionit Turistik të Shqipërisë  dhe të Kosovës, operatorë turistikë italianë, intelektualë, pedagogë dhe studentë.

Konferencën e çeli Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi i cili theksoi se është kënaqësi intelektuale dhe qytetare që me rastin e Festave të Nëntorit, të zhvillojmë këtë Konferencë, në Aula Manjën e Universitetit të Vlorës e cila mban emrin e Ismail Qemal Vlorës, Atit themelues të Shtetit Shqiptar, Lidershipit më të madh dhë më të shquar ndër udhëheqësit shqiptarë, burrit më të ndritur dhe më të mençur të kombit tonë. Angazhimi ynë i përbashkët i Qeverisë shqiptare, i strukturave të Pushtetit Lokal, sipërmarrësve dhe Universitetit Ismail Qemali, në fushën e progresit të shërbimeve turistike, është kontributi më i mirë i cili jetëson ëndrrën e madhe të Rilindasve, firmëtarëve të Pavarësisë dhe Kryeministrit të parë të Shtetit Shqiptar Ismail Qemalit, për të parë dhe për të bërë Vlorën dhe Shqipërinë, një vend me jetesë dhe zhvillim europian.

Në fjalën e saj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, duke shprehur kënaqësinë e veçantë që kjo Konferencë u organizua në UV, përgëzoi organizatorët e veprimtarisë, në veçanti Unionin e Operatorëve Turistikë, duke theksuar se puna e mirë që është bërë nga të gjithë aktorët e sektorit të turizmit, u përkthye në faktin se patëm sezonin turistik më të suksesshëm për sa u takon shifrave. Kumbaro theksoi se  kemi patur 29% më shumë vizitorë se viti i kaluar. Kjo tregon një rritje të reputacionit të Shqipërisë në fushën e turizmit.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë,  Z. Arben Breshani, pohoi se puna e bërë nga të gjitha institucionet turistike, transformimi urbanistik, zhvillimi imobiliar, impakti i zinxhirit të industrisë, kanë dhënë rezultate shumë pozitive në tërheqjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, duke tentuar që ta kthejë Vlorën në destinacionin turistik më të pëlqyer në Mesdhe.

Maurizio Boiocchi, Profesor i Departamentit të Marketing-Turizmit, në Universitetin e Milanos, paraqiti shumë argumente që, sipas tij, përse Vlora ofrohet si atraksion turistik shumë i spikatur turistik në rajon, jo vetëm nga qytetarët italianë por edhe vizitorë nga të gjitha vendet e Europës e më gjerë.

Prefekti i Qarkut të Vlorës, Z. Flamur Mamaj, në fjalën e tij u ndal tek problematikat, arritjet dhe sfidat e sektorit turistik, duke theksuar se sfida kryesore për Vlorën mbetet turizmi gjithëvjetor, pas suksesit të padiskutuar të turizmit në Vlorë gjatë tri muajve të verës.

Kryetari i Unionit Turistik të Shqipërisë, Z. Rahman Kasa, theksoi se Vlora ka shumë mundësi për një turizëm gjithëvjetor, përmes të cilit do të sigurohet zhvillimi i mëtejshëm ekonomik. Kjo është sfida kryesore edhe e operatorëve turistikë në mbarë vendin.

Zëvendës Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Znj. Aulona Veizi, në referatin e saj u fokusua tek ndikimi në turizëm i zhvillimit rural, i bujqësisë, agroturizmit, prodhimeve lokale si identitet i zonës, duke analizuar kapacitetin prodhues dhe sfidat e të ardhmes për promovimin e të gjitha atraksioneve turistike.

Konkluzionet e kësaj konference i bëri Dr. Shkëlqim Sinanaj, si përfaqësues i Departamentit të Biznesit dhe Turizmit, në UV i cili vuri në dukje se qëllimi i  saj ishte të angazhonte gjithë aktorët që mund të garantojnë në çdo sezon një turizëm të suksesshëm në rajonin e Vlorës, si një destinacion turistik konkurrues në Mesdhe, me vlera dhe mundësi të jashtëzakonshme përmes pasurive natyrore, transformimit urban, arkeologjisë, historisë, objekteve të kultit, traditës, inovacionit, gastronomisë, etj.

Pjesa e fundit e këtij aktiviteti, iu rezervua promovimit të vëllimit poetik “PIKË”, të gazetares së njohur të Radio Televizionit të Kosovës, Alketa Gashi – Fazliu. Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit dhe pedagogia e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, FSHHD, UV, Dr. Vilma Bello, bëri prezantimin e autores dhe vëllimit të saj të titulluar “PIKË”. Ndër të tjera ajo evidentoi dhe prezantoi para auditorit vlerat e Alketa Gashi – Fazliut si gazetare, publiciste dhe poete. Ndër të tjera ajo theksoi se znj. A. Gashi, autore e librit “PIKË”, është një gazetare e njohur dhe shumë e dashur në Kosovë, krijuese me një individualitet poetik të spikatur në hapësirën shqiptare por edhe me libra të përkthyera në disa gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhët europiane. Në fjalën e saj, znj. Gashi shprehu kënaqësinë e saj që ndodhej në Vlorë, në Universitetin “Ismail Qemali” dhe që prezantonte librin e saj, në datën 28 nëntor, në ditën e shenjtë të 110 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.