njoftime

Urimi i Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland ZISI, në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit

Festat e Nëntorit janë festat e krenarisë sonë kombëtare dhe janë të shënuara në kalendarin tonë historik si ngjarje më të rëndësishme të kombit tonë.🇦🇱

28 Nëntori – Dita e Flamurit tonë kombëtar është data më e ndritshme e Rilindjes sonë kombëtare në të gjithë historinë tonë. Kjo ditë e bekuar mbetet simbol i sakrificës, bashkimit, unitetit dhe qëndresës së popullit shqiptar.
Dita e Flamurit gjithmonë na kujton sakrificën e shumë brezave që sakrifikuan jetën e tyre për Kombin dhe Flamurin duke i dhënë shpirt historisë sonë.

29 Nëntori, është  dita e madhe e historisë sonë kombëtare, që simbolizon çlirimin e atdheut prej pushtuesve nazifashistë, duke shënuar festën tonë të lirisë, në peshën dhe dimensionet e së cilës qëndron sakrifica dhe heroizmi i popullit shqiptar dhe luftës partizane që ai zhvilloi, luftë që e renditi Shqipërinë në krahun e koalicionit të madh antifashist botëror.

Në këtë përvjetor jubilar të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë kujtojmë të kaluarën e vështirë, kur shqiptarët arritën denjësisht të mbrojnë kombin e tyre dhe gjakun e atyre që idealet kombëtare i vendosën mbi gjithçka, duke shenjuar historinë e kombit tonë.

Në këto data të rëndësishme historike, 28-29 Nëntor, të gjithë ne, me përkulje kujtojmë gjeneratat dhe heronjtë tanë kombëtar, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën gjallë frymën kombëtare në periudha të caktuara të historisë sonë.

Pëtej kufijve gjeografik, 28-29Nëntori janë data që bashkojnë gjithë shqiptarët, duke u zotuar në mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare, për një të ardhme me vlera bashkëkohore evropiane. 🇦🇱

Ju uroj të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, Gëzuar 28-29 Nëntorin, festat simbol të identitetit tonë kombëtar e që, përcillen denjësisht tek brezat e rinj.

Rektori i UV-së
Prof. Dr. Roland ZISI