conference njoftime Projekte

U zhvillua Konferenca Ndërkombëtare “Bashkëpunimi akademik-industri për inovacion”, në kuadër të projektit Know-Hub

U zhvillua këtë të enjte, në mjediset e sallës “Rilindja”, të universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Konferenca Ndërkombëtare (dy ditore, 15-16 shtator), “Bashkëpunimi akademik-industri për inovacion”, në kuadër të projektit Know-Hub.

Konferenca e mbajtur sot, në ditën e saj të parë, është finalizimi i axhendës tri ditore në UV i grupit të punës të projektit Know-Hub, me përfaqësi nga 8 universitete, respektivisht nga 6 shtete (Austria, Spanja, Finlanda, Mali i zi, Bosnia dhe Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut).

Të pranishëm në konferencë, Zv. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello, e cila në pamundësi për të qënë e pranishme fizikisht e ndoqi konferencën online, koordinatori i Projektit Know-Hub, Dr. Bojan Jovanovski, Dekania e fakultetit të Shkencave të Aplikuara, në universitetin “FH-JOANNEUM”, Austri, Elona Saraçi, përfaqësuese nga zyra Erasmus, Tiranë, e cila e mbajti referatin e saj online, drejtorja e Zyrës Vendore Arsimore Vlorë- Himarë, Irena Toshkallari, përfaqësues nga biznesi Vlorë: kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, Arben Breshani, kreu i Operatorëve Turistik për Jugun, Vasil Bedinaj, Serdi Selfo, menaxheri i kompanisë “Cola-Cola” për Jugun, profesorë dhe studentë.

Kryefjala e konferencës së moderuar nga Zv. Rektori i UV-së, Prof. Asc, Enkelejd Mehillaj, u fokusua në rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimeve konkrete të universitetit me ndërmarrjet sipërmarrëse me qëllim që universiteti të përshtasë një filozofi nëpërmjet së cilës, te kryhet transferimi i dijes dhe pajisja e studentëve me dije të tilla të cilat e bëjnë atë të suksesshëm në tregun e punës, treg i cili ka ndryshuar shumë fizionomi dhe kërkon aftësi e kompetenca të reja.
Në fjalën e saj përshëndetëse Zv. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello, theksoi se, për atë që insitucionet e larta përfaqësojnë për shoqërinë, gjithnjë e më shumë po përforcohet ideja se universitetet janë, jo vetëm prodhuesit kryesorë të dijes, por ato përfaqësojnë dhe një instrument të rëndësishëm të rritjes ekonomike, veçanërisht kur ndërveprojnë me efektivitet me biznesin dhe industrinë.
Në Vlorë ka shembuj të shkëlqyer të një bashkëpunimi të frytshëm midis universitetit, partnerëve të industrisë dhe bizneseve të vogla, p
Ndërkombetarizimi i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, përmes projekteve dhe mobiliteteve është në fokus të punës serioze që bëhet në vazhdimësi.
UV- operon duke patur në qendër studentin, në sfidë të përhershme pë të plotesuar misionin e tretë për bashkëpunim me partner të jashtëm dhe ofrimin e shërbimeve ndaj të tretëve.
Bello theksoi se, roli i veçantë i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në sektorin e turizmit stimulohet nga fakti se Vlora përbën një potencial të jashtëzakonshëm turistik e që gjeneron kërkesë të vazhdueshme për arsimim dhe edukim të kualifikuar në të gjithë sektorët e turizmit.

Zv. Rektorja, Prof. Asc. Frosina Londo, në fjalën e saj pohoi se universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, zhvillon programe bashkëkohore studimi të niveleve të ndryshme përfshi dhe ato profesionale, programe qe edukojnë aftësi e cilësi , që përgatisin studentë të aftë, dhe specialistë te zotë të fushave të ndryshme. Qellimi kryesor i ndërtimit të programeve të studimit në Universitetin e Vlorës ështe që teë afrojnë sa më shumë programet universitare me tregun e punës, theksoi Londo.

Koordinatori i projektit ,Jovanovski, pohoi se Know-Hub, duke falenderuar universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për punën shumë serioze për realizimin e kësaj conference,theksoi faktin se projekti Know-Hub do të operojë si qendër ndërveprimi midis universitetetit “Ismail Qemali”, Vlorë me ndërmarrjet sipërmarrëse dhe shoqërinë. Hub-et do të tërheqin ndërmarrjet në universitet, veçanërisht startup-et dhe SME-të për shkak të njohurive dhe aftësive së stafit, profesorëve dhe studentëve si dhe të teknologjive të përshtatshme që ata zotërojnë.

Dr. Doris Kiendl, Dekania e fakultetit të Shkencave të Aplikuara në universitetin “FH-JOANNEUM”, Austri, në referimin e saj pohoi se është kënaqësi bashkëpunimi me universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, në kuadër të projektit Know-Hub, i cili do ta vijojë implementimin e tij deri në përmushjen e misionit, atë të krijimit të kushteve të përshtatshme në lidhje me njohjen e studentëve me biznesin dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës, si edhe përmiresimi i aftësive sipërmarrëse nga ana e studenteve.

Ketrina Çahiri Mijo, koordinatorja për UET, në fjalën e saj pohoi se projekte të tilla si Know-Hub, nxisin kreativitetin, krijueshmërinë e studentit, duke e vendosur studentin përballë bizneseve dhe institucioneve me të cilat ai do të japë e do të marrë si punëdhënës i mundshëm në të ardhmen.

Elona Saraçi, përfaqësuese nga zyra Erasmus, Tiranë, në përshëndetjene saj online pohoi se, Know-Hub, Projekti Erasmus, lidh universitetet me sipërmarrjet dhe krijon ura për ndërkombëtarizimin, përmes një axhende që bashkon trajnimin intensiv në çështje që lidhen me edukimin sipërmarrës, universitetin sipërmarrës dhe strategjinë e ngritjes dhe komercializimit të HUB-it.

Drejtorja e Zyrës Vendore Arsimore Vlorë- Himarë, Irena Toshkallari, theksoi se, forcimi i marrëdhënieve të institucioneve arsimore me tregun e punës, përmes bashkëpunimit me sipërmarrje private dhe përfshirja e universiteteve në projekte të shumta ndërkombëtare ka rritur mundësinë e shkëmbimit të përvojave mes universiteteve dhe studentëve.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, Arben Breshani, në referimin e tij e vendosi theksin tek fakti se, biznesi i vogël dhe i mesëm, që për nga numri dhe pesha në punësim e GDP ka një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, kërkon nga universitetet punonjës të formuar e të aftë për t’u përshtatur me kërkesat e tyre në një ambjent shumë fleksibël dhe multitask.

Vasil Bedinaj, kreu i Opetarorëve Turistik për Jugun, theksoi se tregu i punës është emëruesi i përbashkët i biznesit dhe arsimit. Nëse universiteti nuk përgatit studentë, punonjës të ardhshëm, për të përmbushur nevojat e treguar, është biznesi ai që do të përballet me mungese profesionistësh.

Serdi Selfo, menaxheri i kompanisë “Cola-Cola” për Jugun, në fjalën e tij përshëndetëse posi se, ky projekt është një hap i mirë për të analizuar situatën aktuale sa i përket thellimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe bizneseve, në mënyrë që në të gjitha sipërmarrjet të kemi stafe të kualifikuara brenda pritshmërive.

Këtë të enjte u zhvillua dita e parë e konferencës e cila do të vijojë edhe nesër, ditën e premte, fokusuar tek puna konkrete e të gjithë aktorëve mbi bashkëpunimin akademik me biznesin dhe industrinë për inovacion, në kuadër të projektit Know-Hub.