“GJYKATA E HAPUR” mbërrin në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.


INFOCIP prezanton gjetjet e studimit për vonesat gjyqësore

Në fund të vitit 2018, INFOÇIP ndërmori një vlerësim për Gjykatat e Apelit Vlorë dhe gjykatën e Rrethit Vlorë për evidentimin e situatës së vonesave gjyqësore në shqyrtimin e çështjeve të themelit dhe në arsyetimin ligjor të vendimeve. Pjesë e këtij vlerësimi kombëtar u bënë edhe gjykatata e shkallës së parë dhe të dytë në Shkodër dhe në Korçë, falë mbështetjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përmes Democracy Commision, Small Grant Program.

Një ndër objektivat e Programit “Gjykata e Hapur / Open Court” që po inplementon INFOCIP është hapja e sistemit të gjykatave ndaj publikut, shoqërisë civile dhe Medias. Për këtë arsye, INFOCIP ndërmori në Tetor 2019 një tur në universitetet kryesore të vendit për të advokuar gjykimin pa vonesa dhe rritjen e besimit tek institucionet e drejtësisë. Kjo nismë bëhet edhe më e domosdoshme në kushtet që sistemi gjyqësor në tërësi po kalon një proces të thellë tranformimi në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Ditën e enjte, dt 21 Tetor 2019, stafi i INFOCIP zhvilloi takimin e parë me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Takimi u realizua në koordinim me Rektorin e këtij Universiteti, Prof. Dr. Roland Zisi, në kuadër të Jubileut të 25-vjetorit të themelimit të këtij universitetit.

Seminarin e hapur e përshëndeti DekanI i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof Asc. Aleks Trushaj, Zv.dekanja e këtij Fakulteti, Dr. Migena Balla Shefi i Departamentit Juridik, PhD. Erjon Hitaj,. E pranishme në këtë event ishte dhe kancelarja e gjykatës së Apelit Vlorë, Znj. Frida Gani e cila i ofroi një dimension të shtuar këtij aktiviteti dhe prezantoi para studentëve aspekte praktike të menaxhimit gjyqësor.

Drejtori i INFOCIP, Dr. Gerti Shella paraqiti para studentëve të shumtë që kishin ardhur të marrë pjesë në këtë seminar të hapur rezultatet e monitorimit të realizuar për gjykatën e Apelit Vlorë dhe për Gjykatën e Rrethit Vlorë.

Sipas jurisprudencës së GJEDNJ, kohëzgjatja e një procesi gjyqësor, përllogaritet nga moment i depozitimit të kërkesës/padisë deri në dorëzimin e vendimit përfundimtar në sekretarinë e gjykatës, nga ku ai bëhet i disponueshmë për palët në gjykim. Bazuar në këtë premisë ligjore, INFOCIP prezantoi para studentëve kohëzgjatjen e  konstatuar të çëshjeve të themelit në të dyja gjykatat e Vlorës, respektivisht të Rrethit dhe të Apelit.

Në sesionin e diskutimeve me studentet, u fol për mundësi konkrete të angazhimit të tyre në tregun e punës dhe konkretisht në sistemin e menaxhimit gjyqësor. Studentët u ftuan të marrin pjesë në intership-e në gjykatën e Apelit Vlorë për të kuptuar konkretisht se si funksionojnë gjykatat. Po ashtu, u projektua edhe një synim afat-mesëm për profilizimin më të mirë të degëve universitare drejt redaktimit ligjor në gjykata si dhe proceseve IT që administrojnë dhe përpunojnë të dhënë gjyqësore.