Erasmus+ “Seminar Contact” me Ballkanin Perëndimor


Erasmus+ “Seminar Contact” me Ballkanin Perëndimor, u zhvillua në datat 24-25 Tetor, në Tiranë.

Ky seminar mblodhi së bashku përfaqësues të zyrave të marrëdhënieve me jashtë/projekteve akademikë, prej rreth 200 institucionesh të Arsimit të Lartë nga 34 vende të Programit Erasmus+, si dhe nga vendet partnere të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje Herzegovina, Mali i Zi dhe Kosova). Universiteti i Vlorës u përfaqësua në këtë takim prej Drejtoreshës së Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve, Znj. Rezarta Sinanaliaj.

Qëllimi i këtij seminari ishte rritja e numrit të aplikimeve në rajon në thirrjen e rradhës për projekt propozime në kuadër të programit Erasmus+, duke ofruar mundësi konkrete rrjetëzimi.

Prej veprimtarive të mbështetura nga programi Erasmus+, ky seminar pati në focus të vecantë, Transferimin Ndërkombëtar të Krediteve (ICM) dhe rritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë (CBHE). Sipas përfaqësuesit të Komisionit Europian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Z.Albert Sesé, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, është renditur ndër katër universitetet shqiptare të cilët vlerësohen si partner mjaft aktiv përsa i përket marrëveshjeve të bashkëpunimit në komponentin ICM.

Për gjatë dy ditëve u zhvilluan seksione për zgjerimin e rrjetëzimit ndërmjet Institucioneve të arsimit të lartë të vendeve të BE-së dhe Rajonit të Ballkanit Preëndimor si dhe disa workshop, ku u trajtuan çështje të tilla si njohja e ndërsjelltë e kualifikimeve dhe periudhave të të mësuarit jashtë vendit, format e aplikimit Erasmus +, si dhe procesi i përzgjedhjes dhe mbështetjes së pjesëmarrësve.