Historiku i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik I Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete — Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.

Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në vitin 1919 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970 – 1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë aspekte shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.

Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot.

Gjatë periudhës 20-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti Ismail Qemali i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Tani Universiteti i Vlorës numëron 17 departamente me mbi 10.000 (dhjetë mijë) studentë në tre nivelet e studimit. Deri tani janë diplomuar mbi 4000 studentë.