njoftime

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, zhvillon takim me Rektorin e Akademisë Navale Mircea Cel Batran (Mircea Cel Batran Naval Academy), Rumani

Ditën e hënë, datë 21. 08. 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij dhe zhvilloi një takim miqësor e të frytshëm me Rektorin e Akademisë Navale Mircea Cel Batran (Mircea Cel Batran Naval Academy), Rumani, Prof. Dr. Toma Alecu, i cili shoqërohej nga zëvendës Rektori për Çështjet Ndërkombëtare, Prof. Catalin Popa dhe nga Shefi i Zyrës Ndërkombëtare & Erasmus+, Prof. Marius Cucu. Ishin të pranishëm në takim zëvendës Rektori Akademik, Prof. Asoc. Frosina Londo, zëvendës Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, Prof. Asoc. PhD. Enkelejd Mëhillaj si dhe Drejtorja e Drejtorisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Pojekteve, znj. Rezarta Sinanaliaj,

Akademia Navale Mircea Cel Batran (Mircea Cel Batran Naval Academy), Rumani është një institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë në Rumani dhe në Europë, me një eksperiencë 150 vjeçare në përgatitjen e specialistëve dhe ekspertëve në shkencën navale dhe degët përkatëse të saj.

Vizita e Rektorit të Akademisë Navale Mircea Cel Batran (Mircea Cel Batran Naval Academy), Rumani, Prof. Dr. Toma Alecu u krye me ftesë të UV, në kuadër të programit Erasmus+ me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit ekzistues mes dy universiteteve me fokus kryesor veprimtaritë akademike në kuadër të Programit Erasmus+ për komponentin KA107. Marrëdhëniet korrekte dhe premtuese mes dy institucioneve në këtë program kanë mundësuar deri tani 10 (dhjetë) mobilitete dalëse nga UV drejt Akademisë Navale Mircea Cel Batran (4 mobilitete studentësh të programit të studimit Navigacion, 2 (dy) studentë të programit të studimit Inxhinieri Elektrike si dhe 4 (katër) staf, për Semestrin Vjeshtë 2022 të vitit akademik 2022-2023, ndërsa UV ka pritur nga Akademia Navale Mircea Cel Batran, Rumani, 5 (pesë) personel akademik.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, u shprehu mirënjohje përfaqësuesve të Akademisë Navale Mircea Cel Batran, Rumani, për interesin e treguar vazhdimisht ndaj UV përmes bashkëpunimeve akademike, ndërsa theksoi se është kënaqësi e veçantë që mirëpret në vizitën e tij të parë në UV, Rektorin e Akademisë Navale Mircea Cel Batran (MBNA), Rumani, Prof. Dr. Toma Alecu. Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi duke vlerësuar rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rumanisë, theksoi rëndësinë e vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit mes dy institucioneve, sidomos në fushën akademike, në programet e studimit ne fushën e detarisë dhe inxhinierive, kërkimit shkencor dhe veprimtarive kulturore njohëse dhe edukuese,

 

Rektori i Akademisë Navale Mircea Cel Batran, Rumani, Prof. Dr. Toma Alecu, pasi e falenderoi Rektorin e UV, Prof. Dr. Roland Zisi për mikpritjen e treguar, theksoi se, ishte informuar për bashkëpunimet e shumta dhe cilësore që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ka krijuar dhe zhvillon me shumë universitete europiane, në kuadër të ndërkombëtarizimit të tij. Ai shprehu gjithashtu dakordësinë e tij për vijimin e bashkëpunimeve mes dy universiteteve në shkëmbimin e eksperiencave, stafeve dhe burimeve/vlerave humane në programet e studimit që zhvillohen në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore të UV, veçanërisht me Departamentin e Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare dhe Departamentin e Shkencave Detare, fusha që harmonizohen me profilin që ka Akademia Navale Mircea Cel Batran, Rumani.

 

Kjo ishte vizita e parë e Rektorit të Akademisë Navale Mircea Cel Batran, Rumani, Prof. Dr. Toma Alecu në UV. Në vijim të dy rektorët ranë dakord që të fillojnë komunikimin institucional, sipas sektorëve, me qëllim zgjerimin e termave dhe veprimtarive të përbashkëta, në fusha me interes të ndërsjelltë.