njoftime

Status and Start-Up Conference PhD students- Konferenca për fillimin e fazës së dytë të projektit për suportin e zhvillimit të edukimit detar në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe të Natyrës në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Në kuadër të bashkëpunimit më shumë se 10 vjeçar midis UV –  Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe NTNU – Universitetit për Shkencën dhe Teknologjinë në Alesund, Norvegji, ditën e Enjte, datë 22.06.2023 pranë ambjenteve të Qendrës së Zhvillimi Rajonal në godinën C të Universitetit u zhvillua Konferenca për fillimin e fazës së dytë të projektit për suportin e zhvillimit të edukimit detar në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe të Natyrës në Universitetin “Ismail Qemali”.

Ne Konferencë morën pjesë Zëvendës Ambasadorja e Ambasadës Norvegjeze në Prishtinë Zj. Hilde Berit Eide, profesorë të Universitetit NTNU, përfaqësues të Kapitenerisë dhe të vetë Portit Detar të Vlorës, të Hotel Regina Group dhe pedagogë dhe studentë të UV.

Zj. Zëvendës Ambasadorja përshëndeti këtë bashkëpunim të qëndrueshëm disa vjeçar dhe shprehu kënaqësinë se financimi i këtyre projekteve nga Qeveria Norvegjeze kishin pasur një impakt mjaft pozitiv për edukimin detar të pedagogëve dhe studentëve në FSHTN të UV.

Profesorët e NTNU Prof. Arnfinn Oksavik dhe Prof. Hans Petter Hildre përshëndetën këtë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe falënderuan UV për gjetjen e një ambienti miqësor dhe të gatshëm për shumë inisiativa akademike bashkëpunimi. Ata dhanë njoftimin se 5 asistentë të rinj të UV janë aprovuar të ndjekin studimet doktorale pranë NTNU për një periudhë 3 vjeçare me support të plotë nga ky projekt i financuar nga Ambasada Norvegjeze: Erald Aliko nga Departamenti i Shkencave Detare, Miranda Vidhaj nga Departamenti i Inxhinierive dhe Teknologjive Detare, Medrit Mustafaraj dhe Patricia Mezani nga Departamenti i Shkencave Kompjuterike, Anila Dukaj nga Departamenti i Matematikës.

Përgjegjësi i Qendrës së Kërkimit Shkencor dhe Kordinator i këtij projekti prezantoi punën e bërë deri tani në këtë projekt, duke e lidhur atë me 3 projekte të tjera të mëparshme me po të njëjtin institucion, me përfitime të shumë trajnimeve dhe ndërtimin e shumë laboratorëve të detarisë në UV. Ai gjithashtu prezantoi 5 kandidatët e përzgjedhur dhe të aprovuar nga NTNU për zhvillimin e studimeve doktorale në Norvegji. Gjithashtu, u bë një demonstrim per krijimin e platformës dixhitale Vlora Smart City.

Krijimi kësaj platforme dixhitale të quajtur Vlora Smart City ishte hapi i dytë i këtij projekti, i cili do të japë në trajtë vizuale reale trafikun e krijjuar dhe të parashikuar midis rrugëve që lidh 2 portet e rinj detarë të Vlorës me aeroportin e ri, me spitalin rajonal, rrugën përgjatë Lungomares, Bulevardin kryesor dhe Transballkaniken si edhe me vizualizimin e disa treguesve të ndotjes detare, temperaturave të ujit detit etj.

 

Zëvendës Rektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zhvillimin Institucional përshëndeti konferencën në emër të Rektorit të UV Prof. Roland Zisi duke falënderuar dhe garantuar vëmendje të veçantë dhe suport të plotë të mbarëvajtjes së këtij projekti shumë ambicioz.

 

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Prof.Dr. Roland Zisi, i shoqëruar nga Zëvendës Rektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zhvillimin Institucional Prof.Asoc. Enkelejd Mëhilli dhe Përgjegjësi i Qendrës së Kërkimit Shkencor ne FSHTN Prof.Asoc. Kristofor Lapa mirëpriti në zyrën e tij Zëvendës Ambasadoren e Ambasadës Norvegjeze në Prishtinë Zj. Hilde Berit Eide, Dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Prof. Hans Petter Hildre dhe Koordinatorin e Projektit Prof. Arnfinn Oksavik. Rektori i UV-së iu uroi mirëseardhjen dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e UV me projekte konkrete me shumë dobi në interes të zhvillimit të edukimit detar në UV. Një falënderim të veçantë ishte për Zv. Ambasadoren për suportin financiar dhe ndjekjen direkte të implementimit të të gjitha projekteve me NTNU në Norvegji.

Përfaqësuesja e Ambasadës Norvegjeze dhe Profesorët e NTNU falënderuan Rektorin per mikëpritjen dhe gadishmërinë e treguar për kujdesin e veçantë në mbështetje të vazhdueshme të këtij bashkëpunimi si në projektet e mëparshme, por edhe në këtë projekt shumë të rëndësishëm.

Më pas u nënshkrua nga Rektori i UV Prof.Dr. Roland Zisi dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Prof. Hans Petter Hildre, Marrëveshja e Bashkëpunimit midis UV dhe NTNU që i hap rrugë implementimit të suksesshëm të këtij projekti me produkt pedagogë të doktoruar pranë NTNU dhe  platformës dixhitale Vlora Smart City.