njoftime

Komisioni Europian i jep Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Erasmus Charter for Higher Education, (ECHE), për periudhen 2021- 2027.


Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, – i pari universitet shqiptar që fiton akses të drejtëpërdrejtë në programin Erasmus+, nëpërmjet ECHE.

Në datën 30. 06. 2023, Komisioni Europian, ka marrë vendimin për të vlerësuar Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë me Erasmus Charter for Higher Education, (ECHE), për periudhën 2021 – 2027. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ka zhvilluar një varg aktivitetesh dhe veprimtarish akademike dhe administrative, me qëllim plotësimin e dokumentacionit dhe standarteve europiane, angazhim i cili është vlerësuar me marrjen e ECHE. Ky akreditim është një sukses i UV por gjithashtu është një arritje domethënëse për gjithë Arsimin e Lartë Shqiptar.
Europian Erasmus Charter for Higher Education, është një çertifikatë cilësie që u jepet IAL prej Bashkimit Europian, i cili rikonfimon statusin e universiteteve që aplikojnë dhe i lejon ata të marrin pjesë në Programin Erasmus+.

Erasmus Charter for Higher Education akrediton institucionet e njohura të arsimit të lartë, të cilat kanë kapacitet operacional për të marrë pjesë në aktivitetet e Programit Erasmus+, të tilla si lëvizshmëria e të mësuarit të individëve dhe/ose bashkëpunimi për inovacion dhe praktika të mira. Nëpërmjet ECHE, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, do të ketë të drejtën dhe mundësinë të aplikojë, në Europian Universities Initiative (aleancë e institucioneve të arsimit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së, vende të tjera të Programit Erasmus+, si dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor (që nga thirrja e 2023).

Vlerësimi nga Komisioni Europian i UV me Europian Erasmus Charter for Higher Education, mbështet axhendën e rinovuar të BE-së për Arsimin e Lartë. Me nënshkrimin e kësaj Karte, UV konfirmon se pjesëmarrja e saj në Erasmus+ është pjesë e strategjisë së saj për modernizim dhe ndërkombëtarizim. Ky akreditim njeh dhe vlerëson kontributin e personelit akademik dhe studentëve, pjesëmarrjen e UV në projekte të financuara nga BE dhe më gjerë, cilësinë e jetës akademike, cilësinë programeve të studimit, përvojën pozitive të studentëve, etj.

UV në respektim të ndërkombëtarizimit, e cila është një nga shtyllat kryesore të “Strategjisë Kombëtare të Arsimit” si dhe një nga tre boshtet kryesore të “Strategjisë së Zhvillimit” të vet, do të vazhdoj të gjitha përpjekjet për ofrimin e studimeve sa më cilësore për studentët aktual dhe atyre që, në të ardhmen, do të zgjedhin të frekuentojnë programet e studimit që ai ofron.

Erasmus Charter for Higher Education