njoftime

Në mjediset e sallës “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u  promovua këtë të hënë vepra “Shtëpia te Selvia” i autores Anisa Markarian.

Sot, në mjediset e sallës “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u  promovua libri “Shtëpia te Selvia”, i autores Anisa Markarian.

Të pranishëm në ceremoninë e promovimit, ishin pedagogë dhe studentë të Departamentit të Letërsisë Shqipe në UV, nxënës të shkollës së mesme “Ali Demi” dhe qytetarë të Vlorës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi, pohoi se është nder dhe kënaqësi për Universitetin “Ismail Qemali” që promovon librin “Shtëpia te Selvia”, një rrëfim biografik nga jeta e familjes së Anisa  Markarian në Tiranën e viteve ’60.

Prof. Dr Roland Zisi pohoi se, përmes rrëfimeve nga e kaluara e afërt, autorja shkon përtej kujtimeve autobiografike, duke ndihmuar në mirëmbajtjen e kujtesës së përbashkët, përmes dëshmive të shumta në oqeanin e fakteve mbi të kaluarën.

Kujdesi i veçantë i ndërtimit të dekorit letraro – historik, përmes së cilit veprojnë personazhet, e bëjnë librin “Shtëpia te Selvia” një vepër që e përmbush misionin e vet, si nga ana letrare ashtu dhe nga ajo historike.

Është kënaqësi e veçantë që Znj. Anisa Markarian zgjodhi ta  promovojë këtë libër, edhe ne mjediset e UV-së, theksoi Rektori Roland Zisi.

Prof Dr. Bardhosh Gaçe, duke e përgëzuar autoren për lidhjen e ngushtë me të kaluarën sa të largët aq edhe të afërt, theksoi faktin se, “Shtëpia te Selvia” është ndër ato vepra që përmes rrëfimeve, lënë gjurmë të veçantë në prozën shqiptare, si një urë lidhëse mes së kaluarës dhe ineteresit për ta bërë të pranishme atë të kaluar edhe tek brezat e rinj.

Dr. Ermir Xhindi, në fjalën e tij përshëndetëse pohoi se, elementi kryesor mbi të cilën ngrihet kjo vepër, është përvoja jetësore e një shkrimtareje e cila i sjell shumë të përpunuara artistikisht kujtimet që rrëfen, përmes një pasurie leksikore dhe larmie artistike që na befason.

Dr. Edlira Çerkezi në referatin e saj pohoi se, Anisa Markarian, me stilin e saj letrar, duke i jetësuar ndër breza rrëfimet nga e kaluara, është ndër autoret që ia vlen të lexohet dhe të studiohet për vlerat e veçanta historiko – letrare që mbart.

Konceptuar në formatin e një bashkëbisedimi,  Anisa Markarian, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të të pranishmëve, theksoi se është kënaqësi e veçantë që promovimi i librit të saj, realizohet në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, duke shprehur konsideratat më të larta për mikpritjen e treguar nga Rektori i  UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi.

Pavarësisht se prej vitesh jeton e punon në Francë, as angazhimet e shumta e as rendja e kohës, nuk kanë mundur ta shkëpusin aktoren, skenaristen dhe shkrimtaren Anisa Markarian, nga lidhja e ngushtë shpirtërore që ka me Shqipërinë, me Tiranën, aty ku u jetësuan rrëfimet e së kaluarës së afërt e në veçanti me gjuhën amtare, shqipen, të cilën as mërgimi nuk ia cënoi.

Markarian, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi se “Shtëpia te Selvia” është historia e familjes së saj, të cilën ua kushton prindërve që janë personazhet kryesorë të këtyre rrëfimeve.
Rrëfimi nis me ditën e saj të lindjes 4 korrik 1962 dhe përfundon me vdekjen e babait të saj 15 gusht 1980.

Anisa Markarian ritheksoi disa herë se e ndjente si një mision, të dëshmonte për të vërtetat e asaj kohe.

“Për dikë tjetër, gjashtë dekada jetë mund të jenë më se të mjaftueshme për të mbyllur hesapet me ca histori të shkuara, vetjake e kolektive, e për t’i arkivuar përfundimisht.
Nuk është rasti im. Ja përse vazhdoj të rrëmoj nëpër kujtesë. Bëj pyetje, shfletoj dokumente historike, qëmtoj fakte, kërkoj shpjegime, pres të identifikohen përgjegjësit e krimeve e të më kërkohet falje. E pres si armene dhe si shqiptare, si bijë e dy popujve të martirizuar. E kam fjalën për gjenocidin otoman dhe atë komunist. Ja përse “Shtëpia te Selvia” është shkruar në kohën e tashme.
E shkuara vazhdon të ndodhë”- theksoi ajo, teksa e kishte një porosi për të rinjtë e pranishëm: “Kërkojeni të vërtetën dhe mbajini lidhjet me të kaluarën tuaj, derisa të kuptoni se kush jeni. Nuk mund të jemi dinjitozë dhe të plotësuar, nëse më parë nuk njohim të vërtetën e patjetërsueshme e cila na përket ne’’ – theksoi në fjalën e saj Anisa Markarian.