njoftime

URIMI I REKTORIT, PROF. DR. ROLAND ZISI, PËR FILLIMIN E VITIT TË RI AKADEMIK 2022-2023

Të dashur studentë!

Ditën e hënë, datë 17 tetor, në nisje të vitit të ri akademik 2022-2023, do të riktheheni në mjediset universitare, pikërisht në auditor aty ku statusi i studentit merr vlerën e vërtetë.

Ju uroj një vit akademik të mbarë e të qetë, me motivim dhe përkushtimin e domosdoshëm për arritjen e objektivave dhe standarteve të duhura akademike.

Përmes urimit për një vit akademik sa më të mbarë dëshiroj t’ju drejtohem në veçanti studentëve të vitit të parë, të cilët këtë të hënë nisin një tjetër rrugëtim, tanimë me statusin e studentit.

Falenderime dhe mirënjohje juve dhe familjarëve tuaj për besimin që na dhatë, duke zgjedhur Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë në këtë rrugëtim të ri e shumë të rëndësishëm për formësimin tuaj akademik dhe profesional.

Strukturat akademike dhe ndihmësakademike të UV janë në gadishmëri të plotë dhe në funksion të procesit mësimor.

Në UV mund të zgjidhni të studioni në fusha të ndryshme si Ekonomik, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kjompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematik, Inxhinjeri etj. Në total UV ofron 2 diploma profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi master (Shkencor dhe profesional) si dhe 2 programe doktorature.

Në UV këtë vit të ri akademik do të ofrohen dhe tri programe të reja studimi:

1. Master shkencor në “Projektim dhe Menaxhim i Sistemeve Turistike dhe Kulturore”, një program i përbashkët studimi i UV-së me universitetin “Aldo Moro” në Bari, Itali, i cili do t’u japë mundësi studentëve që të pajisen me Diplomë Shqiptare dhe Italiane.

2. Master profesional në “Akuakuturë dhe Peshkim”, program master i përbashkët me Universitetin e Kamzës dhe Universitetin e Durrësit.

3. Program i Cikllit të tretë, Doktoraturë, në “Studime gjuhësore, letrare e kulturore”.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për të vazhduar studimet tuaja të larta. Ai është i akredituar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri, për një periudhë 5-vjeçare deri në vitin 2025. Gjithashtu, të gjithë programet të ciklit të parë Bachelor janë të akredituara. Kjo Ju jep mundësinë të ndiqni studimet në një Institucion ku diploma juaj ka vlerë dhe njihet ndërkombtarisht.

Përmes marrveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, Ju do të keni mundësi të zhvilloni pjesë të studimeve tuaja në një prej këtyre institucioneve me të gjitha shpenzimet të mbuluara.

UV ka disa vlerësime ndërkombëtare. Universiteti i Vlorës është renditur i 35-i në botë prej WURI (World’s Universities With Real Impact) në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës dhe Universiteti i Pireut.

UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar me përvoja ndërkombëtare. Gjatë studimeve tuaja ose në përfundim të tyre keni mundësi punësimi/zvillimi praktike në biznese dhe institucione publike/private të mirënjohura në qytetin e Vlorës rajon dhe Shqipëri.

Zhvillimi i studimeve në UV, Ju jep mundësinë jo vetëm të zhvilloni studime universitare cilësore por edhe një jetë studentore aktive. UV ju ofron një jetë sociale aktive e dinamike përmes aktiviteteve kulturore e sportive, aktiviteteve promocionale si dhe përmes këshillimit të karrierës.

Ju do të ndiqni normalisht leksionet, seminaret, praktikat mësimore sipas planifikimeve që kanë bërë Grupet e Punës të ngritura në çdo Fakultet dhe Departament.

Sistemi i informacionit i UV-së është në gadishmëri të plotë, në funksion të regjistrimit të çdo studenti, sipas orarit të mësimit, përgatitur nga çdo fakultet dhe departament, në lëndën apo modulin përkatës të programit të studimit dhe vitit akademik.

Të dashur studentë dhe prindër,

Bashkë me urimin për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm dua t’ju garantoj se, unë personalisht, autoritetet drejtuese, të gjithë pedagogët dhe punonjësit e UV-së, do të ofrojmë angazhimin maksimal për arritjen e objektivave të dëshiruara për standarte të larta akademike.

Për gjithsecilin prej nesh, edhe në këtë nisje të vitit të ri akademik, shtohet përgjegjësia për të kryer me devotshmëri të gjitha detyrat njerëzore dhe akademike, në nisje të sfidave për standarte të larta arsimore për këtë vit të ri akademik,

Dëshiroj t’ju përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, drejtuesve dhe strukturave të UV për një vit akademik të mbarë e të suksesshëm.

Uroj dhe jam i bindur se do të jemi të gjithë bashkë në përkushtimin për ruajtjen e traditave dhe sukseseve të mëtejshme të universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

Miqësisht dhe me mirënjohje

Rektori, Prof. Roland Zisi