Këtë të martë, datë 13 shtator, në mjediset e bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u zhvillua takimi me grupin e punës në kuadër të projektit Know-Hub, i cili ka nisur të implementohet në UV prej nëntorit të vitit 2019-të.
Pjësëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të 8 universiteteve, respektivisht nga 6 shtete (Austria, Spanja, Finlanda, Mali i zi, Bosnia dhe Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut) dhe grupi i punës nga universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.
Know-Hub, Projekti Erasmus, lidh universitetet me sipërmarrjet dhe krijon ura për ndërkombëtarizimin, përmes një axhende që bashkon trajnimin intensiv në çështje që lidhen me edukimin sipërmarrës, universitetin sipërmarrës dhe strategjinë e ngritjes dhe komercializimit të HUB-it.
Kryefjala e takimit, në ditën e tij të dytë, ishte diskutimi i ecurisë së projektit, amendimet dhe sfidat, ndërtimi i portofolit të shërbimeve si dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve sipërmarrëse dhe inovative në forcimin e bashkëveprimit të universiteteve me ndërmarrjet, duke i dhënë rol qëndror në ekosistemin rajonal të inovacionit.
Në fjalën e saj përshëndetëse Zv. Rektoria, Prof. Asoc. Frosina Londo , theksoi se projekti Know-Hub i përgjigjet nevojave rajonale, kombëtare dhe lokale për ngritjen dhe forcimin e lidhjes midis institucioneve të arsimit të lartë dhe ekonomisë, duke dhënë mundësi të shumta bashkëpunimi, në veçanti për studentët.
Dekania e universitetit “FH-Johanneum”, Austri, Doris Kiendl dhe koordinatori i projektit, Bojan Jovanovski, në fjalën e tyre përshëndetëse theksuan faktin se është kënaqësi që ky takim, u zhvillua në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.
Koordinatori i projektit ,Jovanovski, pohoi se Know-Hub do të operojë si qendër ndërveprimi midis universitetetit “Ismail Qemali”, Vlorë me ndërmarrjet sipërmarrëse dhe shoqërinë. Hub-et do të tërheqin ndërmarrjet në universitet, veçanërisht startup-et dhe SME-të për shkak të njohurive dhe aftësive së stafit, profesorëve dhe studentëve si dhe të teknologjive të përshtatshme që ata zotërojnë.
Për më tepër, “Commercialization Hubs” do të zgjerojnë pjesëmarrjen e universiteteve në projekte dhe programe ndërkombëtare, zbulimin dhe vlerësimin e rezultateve të kërkimit, duke krijuar marrëdhënie strategjike me industrinë, ndërveprim dhe marrëdhënie me sponsor të mundshëm, theksoi Jovanovski.