Në vijimësi të takimeve të organizuara nga Qendra “Media Aktive” ne kuadër të
aktivitetit “Bisedat”, në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, ishte e ftuar këngëtarja e mirënjohur, Eneida Tarifa.
Takimi u organizua në formatin e një bashkëbisedimi me moderimin e gazetarit Blendi Salaj.
Rektori i UV-së Prof. Dr. Roland Zisi, në fjalën e tij përshëndetëse duke falenderuar Qendrën “Media Aktive” për bashkëpunimin me universitetin “Ismail Qemali” theksoi rëndësinë që ka për UV-në çështja e zhvillimit të karrierës, si një ndër sfidat e shumta të këtij institucioni arsimor i cili në fokus të tij ka nxitjen e të rejave dhe të rinjve për tu formësuar mbi tendencat bashkëkohore të një karriere të suksesshme, në koherencë me kërkesat e tregut të punës, duke u ndalur konkretisht në gamën e sfidave të ndryshme në këtë drejtim.
Këngëtarja Eneida Tarifa, duke falenderuar rektorin për mikpritjen, në bashkëbisedimin me studentët ndau me ta rrugëtimin e saj profesional, sfidat dhe sukseset, si pjesë e pandarë e çdo rrugëtimi.
Studentët e UV-së u bënë pjesë aktive e këtij bashkëbisedimi të vlefshëm përmes pyetjeve të shumta që i drejtuar këngëtares Eneida Tarifa duke shprehur dhe këndvështrimin e tyre rreth rëndësisë së Këshillimit të Karrierës.
Pas takimit Rektori mirëpriti në zyrën e tij znj. Tarifa dhe gazetarin Blendi Salaj në një bashkëbisedim miqësor të fokusuar pikërisht mbi vlefshmërinë e të tilla takimeve me studentët, me qëllim nxitjen dhe motivimin e tyre drejt një karriere të suksesshme.