[:sq]
Akreditim Institucional Pozitiv 5 vjeçar
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë – dinjitoz mes IAL shqiptare
Me kënaqësi dhe krenari dëshiroj të ndaj me të gjithë JU, me opinionin e gjerë arsimdashës të Vlorës dhe rajonit, me studentët, familjarët e tyre si dhe me personelin akademik, ndihmësakademik dhe administrativ të institucionit që unë drejtoj, arritjen dhe suksesin e tij më të fundit.
Bordi i Akredimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, përmes Vendimit nr.50, datë 27.11.2020, i ka dhënë Universitetit “Ismail Qemali”, Akreditim Institucional Pozitiv për një periudhë 5 vjeçare, deri në vitin 2025. Ky vendim i është dërguar institucionit tonë nga ASCAL nëpërmjet shkresës me nr.247 prot, datë 10.12.2020, duke përmbyllur kështu gjithë procedurën e akreditimit të dytë institucional të UV, nisur disa muaj më parë.
Kujtoj që Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, në vitin akademik 2016-2017, iu nënshtrua procesit të parë të Akreditimit Institucional përmes ekspertizës së Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (QAA) të Mbretërisë e Bashkuar dhe u vlerësua me Akreditim Pozitiv 3 vjeçar.
Në këtë mënyrë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, qysh prej vitit 2017 e në vijim, rezulton një Institucion i Arsimit të Lartë në Shqipëri, i cili, në funksion të misionit të tij, ka vërtetuar ligjërisht dhe zyrtarisht se ka përmbushur, thuajse plotësisht, të gjithë kriteret dhe standardet e Kodit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë.
UV nëpërmjet një dosjeje vetëvlerësimi voluminoze, me më shumë se 460 evidenca në shqip dhe anglisht, ka vërtetuar përfundimisht, implementimin në mënyrë të suksesshme të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të rekomandimeve të mëparshme të lëna nga QAA, gjatë Akreditmit të Parë Institucional, por edhe të hapave që janë ndërmarrë në ndërtimin e strategjive, standarteve, procedurave dhe praktikave më të mira universitare. Këtë panoramë vlerash dhe arrtijesh e bën më realiste dhe dinjitoze edhe procesi i Akreditimit të Programeve të Studimit të Ciklit të parë të studimeve, që është duke u kryer dhe që po shkon me sukses të plotë drejt fazës përfundimtare.
Vlerësoj me gëzim dhe krenari të ligjshme se këto dy akreditime janë, ndoshta, ngjarjet më të rëndësishme dhe më cilësore në jetën dhe historinë 26 vjeçare të Universitetit të Vlorës i cili e mban dhe trashëgon me nder dhe dinjitet, dekadë pas dekade, emrin e Ismail Qemalit, themeluesit dhe atit të shtetit shqiptar.
Akreditimi i dytë Institucional Pozitiv 5 vjeçar, veç të tjerash, dëshmon dhe shpërblen vizionin modern e bashkëkohor të drejtimit dhe manaxhimit të UV, përkushtimin, seriozitetin dhe kontributin e studentëve, pedagogëve, autoriteteve dhe organeve drejtuese, strukturave ndihmësakdemike dhe administrative, të cilët, veç e veç dhe të gjithë së bashku meritojnë vlerësime, përgëzime dhe falenderime.
Vendimi i Bordit të Akreditimit, për Akreditim të dytë Institucional Pozitiv 5 vjeçar të UV, u siguron studentëve aktual dhe atyre që do të vijnë kryerjen e studimeve në një Universitet dinjitoz, të akredituar dhe të çertifikuar i cili ka dëshmuar dhe dëshmon çdo vit zhvillim të qëndrueshëm në drejtim dhe manaxhim, në fushën akademike dhe kërkimit shkencor.
Ky rezultat na inkurajon të gjithëve për të vazhduar e zhvilluar më tej me përkushtim dhe seriozitet punën e bërë deri tani, për të konsoliduar më shumë jetën akademike e sociale të UV, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë.
Me këtë rast një falenderim të veçantë meritojnë anëtarët e GVB dhe NJSBC, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm përgatitën dosjet e procesit të akreditimit, duke i organizuar dhe interpretuar ato në mënyrë cilësore me qëllim respektimin dhe promovimin maksimal të punës dinjitoze të autoriteteve drejtuese, personelit dhe njësive akademike e administrative të UV.
Urime dhe përgëzime për suksesin e ri të Akreditimit Institucional Pozitiv 5 vjeçar të UV!
Suksese të mëtejshme të dashur studentë, koleg dhe miq, gjithmonë sipas lajtmotivit akademik:
Suksesi është një Udhëtim i gjatë dhe jo një Destinacion!
Prof. ROLAND ZISI, REKTOR I UV
Vlorë, 14. 12. 2020
[:]