TRAJNIM PËR RRITJE KAPACITETESH I STAFIT AKADEMIK TË FAKULTETIT TË SHËNDETIT PUBLIK
(manipulimi i manikinëve të Qendrës Simulatore për Trajnimin Shëndetësor)
Në përmbushje të Objektivave 3, 4 të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Shëndet e Mirëqënie dhe Edukim Cilësor, Fakulteti i Shëndetit Publik në datën 1 tetor 2019 organizoi trajnimin e stafit akademik të programeve të infermierisë dhe mamisë për manipulimin e manikinëve simulatorë në Qendrën Simulatore për Trajnimin Shëndetësor. Trajnimi i stafit u realizuar nga inxhinierët e kompanive Medis dhe Genius, që mundësuan blerjen e paisjeve simulatore: Denis Vidic dhe Albano Doko.
Rritja e kapaciteteve të stafit akademik për manipulimin e paisjeve simulatore ndikon drejtpërdrejtë në plotësimin e Prioriteteve Strategjike të FSHP për: Përmirësimin e infrastrukturës akademike, deri në nivelin e standarteve europiane, dhe Fuqizimin e sistemit akademik, duke vendosur në qendër studentët.
Procedurat simulatore përfaqësojnë një metodë mësimdhënieje inovative që stimulon disa shqisa njëkohësisht tek studentët. Paisjet simulatore janë dizenjuar për të reflektuar situatat reale jetësore / patologjike, dhe ofrojnë mundësinë për tu praktikuar në kushte shumë të afërta me realitetin. Studentët mund ti praktikojnë aftësitë klinike në mënyrë të përsëritur, të punojnë sipas ritmit të tyre dhe të bëjnë gabime pa u stresuar derisa të fitojnë vet-besimin se mund të punojnë me pacientë të vërtetë. Studentët që e marrin edukimin infermieror përmes paisjeve simulatore bëjnë më pak gabime mjekësore kur dalin në punë, dhe i kanë më të zhvilluara aftësitë e të menduarit kritik dhe vendim-marrjes klinike.