Ditën e enjte, datë 25, 04. 2024, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës dhe mori pjesë në një varg aktivitesh të organizuara nga Bashkia e Vlorës, ZVA dhe Universiteti “Ismail Qemali”. Pasi vizitoi Laboratorin e Inteligjencës Artificiale të gjimnazit “Ali Demi” dhe zhvilloi një bisedë frytdhënëse me nxënësit e kësaj shkolle, ajo më pas ishte e pranishme në një aktivitet sportiv, me nxënësit e sistemit parauniversitar të qytetit të Vlorës.
Më pas, znj. Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Z. Ermal Dredha, Rektori i UV, Prof. Roland Zisi dhe Përgjegjësja e ZVA, Vlorë, Znj. Gentjola Shehu, u mirëprit nga maturantë, studentë, mësues dhe pedagogë, në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Labëria”. Qëllimi i këtij takimi, ishte përmbyllja e ciklit të marrëveshjeve për programin e Kartës së Studentit, për studentët e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Duke folur për auditorin, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dhe Rektori i UV Prof. Roland Zisi, parashtruan për auditorin kujdesin e veçantë të qeverisë shqiptare ndaj maturantëve dhe studentëve të rajonit jugor të vendit, duke theksuar se Karta e Studentit do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, theksoi ndër të tjera se u nënshkrua një marrëveshje angazhimi për Kartën e Studentit, një mekanizëm shumë i nevojshëm për mbështetjen e studentëve të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe që sigurisht, kanë nevojë për mbështetje përgjatë gjithë viteve të tyre të studimit, përpos asaj mbështetjeje që jep Qeveria për grupe të ndryshme të studentëve për të cilët ne kontribuojmë nëpërmjet uljes së tarifave, përgjysmimit të tyre apo tarifave zero. Më tej, Znj. Manastirliu nënvizoi faktin se do të ketë përfitime edhe nëpërmjet bursave për grupe të ndryshme studentore, bursave sa paga minimale për studentët që kanë zgjedhur programet që kanë përparësi kombëtare apo mbështetjes për studentët ekselentë. Tashmë edhe Karta e Studentit, theksoi ajo, do të bëhet një realitet i prekshëm, menjëherë pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje që do të ofrojë një seri shërbimesh të cilat lehtësojnë sadopak jetën e studentëve përgjatë gjithë ciklit akademik. Në vijim Znj. Manastirliu, shtoi se, këtë vit, për herë të parë, është bërë i mundur edhe një tjetër instrument tjetër mbështetës, për atë kategori studentësh, të cilët duan të përfitojnë kredi të buta me interes të lehtësuar, ku pjesën më të madhe të interesave të kredisë e mbulon shteti.
Marrëveshja përfshin një sërë angazhimesh për mbështetjen e studentëve nga ana e strukturave të Bashkisë së Vlorës. Në këtë kontekst, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Z. Ermal Dredha, theksoi për auditorin se Bashkia e Vlorës do të ofrojë një sërë shërbimesh të reduktuara në masën 50% për çdo student, duke nënkuptuar institucione të sportit dhe kulturës së qytetit të Vlorës, si Teatri, Biblioteka, Muzeu, Pallati i Kulturës, Pallati i Sportit, Klubi Flamurtari apo palestra që do t’iu mundësojë studentëve përmes kartës, shërbime me tarifa të reduktuara që do të mbulohen nga Bashkia e Vlorës.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kartës së Studentit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, vizitoi Laboratorin e Navigacionit, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ku u njoh me Programet e Studimit që zhvillohen në këtë fakultet, në fushën e navigacionit dhe inxhinierive përkatëse, me problematikat e hasura në punën e njësive bazë dhe pedagogëve, për modernizimin e procesit mësimor, si dhe me sfidat për përballimin e prirjeve bashkëkohore të zhvillimit të arsimit të lartë.
Më pas, në ambientet e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të UV, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu, zhvilloi një bashkëbisedim me pedagogë dhe drejtues të të gjitha niveleve të UV, ku theksoi kujdesin e treguar nga Qeveria Shqiptare dhe vëmendjen e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, në funksion të modernizimit e IAL-ve shqiptare, përmes politikave me impakt të drejtëpdrejtë në këto institucione, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Ajo kërkoi nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.