njoftime

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë rankohet në vendin e 3-të mes 13 IAL publike shqiptare dhe në vendin e 4-të mes 44 IAL publike dhe private së bashku nga Ranking Web of Universities

 

https://www.webometrics.info/en/Europe_es/Albania?fbclid=IwAR3_mRPd7OX9DDGcopP35qNPxyoebU4FcW3MtS433vGiuT1yUjy4ClqTeaI

Ranking Web, mbështetur në treguesit e marrë gjatë muajit Janar 2024 nga Web-et e 31.000 universiteteve të 200 vendeve, ka publikuar edicionin 20-të (2024.1.1 beta) të renditjes më aktuale dhe më të përditësuar të universiteteve në rang botëror.

Rankimi i universiteteve nëpërmejt Ranking Web ka filluar qysh prej vitit 2004.

Në këtë klasifikim të përgjithshëm Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është renditur në vendin e 5.305-të, (ndër 31. 000 IAL në botë), në vendin e 3-të mes 13 IAL-ve publike shqiptare dhe në vendin e 4-të mes 44 IAL publike dhe private sëbashku. Ky rezultat dëshmon një rritje prej 719 vende nga versioni i Janarit 2022 në të cilin UV ishte rankuar në vendin e 6024-ët (e 4-të mes 13 IAL publike shqiptare dhe në vendin e 5-të mes 41 IAL publike dhe private sëbashku asaj kohe).

Nisur nga fakti që Ranking Web nuk është një renditje e dizajnit të faqeve të internetit të universiteteve, por një renditje e universiteteve sipas treguesve webometrikë të gjitha veprimtaritë universitare dhe bibliometrikë (kërkimi shkencor), UV e vlerëson këtë klasifikim si një tregues tepër pozitiv të politikave dhe qasjeve strategjike që zbaton si dhe një arritje të re të studentëve dhe personelit akademik në funksion të misioneve të përbashkëta të tyre. Gjithashtu UV e shikon këtë renditje si një sfidë për t’u njohur dhe ballafaquar me përvojat më të mira botërore, si dhe një mundësi për të korrigjuar praktika dhe perceptime negative në këtë fushë të veprimtarisë institucionale.

UV konstaton, me modesti dhe krenari njëkohësisht, se informacionet e emetuara përmes Web-it të tij, të cilat përfaqësojnë punën e përditshme të stafit akademik, studentëve dhe drejtuesve të të gjitha niveleve, konsiderohen nga publiku i gjerë si tregues korrekt, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm të performancës tërësore institucionale.

Një nga synimet kryesore të veprimtarisë së UV-së është që nëpërmjet Web-it të tij të promovojë transparencën e gjerë për publikun për produktet dhe njohuritë e krijuara nga pedagogët dhe studentët të cilët po punojnë që të përmirësojnë më tej cilësinë e veprimtarive universitare dhe rrjedhimisht edhe cilësinë e informacionit që përcillet përmes kanaleve të komunikimit digjital.

Për të 20-in vit Ranking Web ose Webometrics, duke funksionuar si një projekt kërkimor, përmes metodologjive shkencore korrekte që zbaton, ka arritur gjithmonë të bëjë një renditje të besueshme, objektive, transparente, shumëdimensionale, të përditësuar dhe të dobishme në funksion të perceptimit real të performancave të institucioneve të arsimit të lartë në gjithë botën. Laboratori Cybermetrics ka zhvilluar studime sasiore në Web-et universitare që nga mesi i viteve 1990. Treguesit e parë u prezantua gjatë konferencës EASST/4S, (1996) dhe mbledhja e të dhënave nga faqet web zyrtare të universiteteve evropiane filloi në 1999, mbështetur nga projekti EICSTES, i financuar nga BE.

Në kontekstin e zbatimit të Planit Strategjik, në të cilin Smart University është përcaktuar si një nga tri linjat strategjike kryesore që UV implementon, renditja e fundit e Ranking Web, i detyron dhe motivon akoma më shumë strukturat dhe burimet tona njerëzore, që ta shohin Web-in e institucionit si mjetin kryesor të promovimit dhe shumëfishimit të rezultateve të misioneve universitare.
Të dhënat e publikuara i referohen periudhës pesëvjeçare: 2018-2022 dhe përfshijnë 3 tregues kryesor.

  1. VIZIBILITETI (me ndikim 50%): Përmbajtja e web-it dhe ndikimi i numrit të rrjeteve (nënrrjeteve) të jashtme që lidhen me faqet e internetit të institucionit (zgjidhet vlera mesatare e normalizuar).
  2. TRANSPARENCA (ose hapja) (me ndikim 10%): Studiuesit më të cituar nga GoogleScholar 10%. Ka të bëj me numrin e citimeve nga 310 autorët më të mirë (duke përjashtuar 20 vlerat e jashtëzakonshme)
  3. EKSELENCA (me ndikim 40%):  Artikujt më të cituar: Numri i punimeve në mesin e 10% më të cituara në secilën prej të 27 disiplinave të bazës së plotë të të dhënave.