Ditën e hënë, datë 11.09.2023 u organizua në mjediset e Sallës “Rilindja”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, ceremonia e nderimit të Z. Patrizio Di Tursi, Këshilltar i Presidentit të Senatit të Republikës së Italisë, me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin “Për kontribut të veçantë dhe të spikatur në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, për vendosjen e autoritetit dhe personalitetit të tij publik e politik në dispozicion të sipërmarrjes strategjike të UV për krijimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve të qëndrueshme me universitetet italiane, për vlerat e tij intelektuale, diplomatike e humane të vëna në funksion të krijimit dhe konsolidimit të një procesi akademik ndërkombëtar, me qëllim integrimin e studentëve dhe pedagogëve të UV, në rrjedhat dhe rrjetet arsimore italiane, europiane e ndërkombëtare”
Ishin të pranishëm në ceremoninë e nderimit të Z. Patrizio Di Tursi,Prefekti i Qarkut të Vlorës, z. Flamur Mamaj, anëtarët e Senatit Akademik studentë, pedagogë, autoritete dhe qytetarë të Vlorës.
Ceremonia e nderimit u hap nga Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili e nisi përshëndetjen me mirënjohjen ndaj Z. Patrizio Di Tursi për praninë e tij në Aula Manjën e UV-së në këtë ceremoni me vlera të veçanta akademike dhe kulturore.
Rektori i Uv, Prof. Dr. Roland Zisi theksoi faktin se, diploma e nderit “Doctor Honoris Causa”, është vlerësimi më i lartë që UV u akordon autoriteteve të shquara që japin kontribute në zhvillimin dhe progresin e tij. Ai pohoi se Z. Patrizio . Di Tursi, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në funksion të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, veçanërisht të vendosjes së urave të bashkëpunimit konkret në fushën e projekteve dhe shkëmbimeve të eksperiencave, profesorëve dhe studentëve, me universitetet italiane, duke vendosur në shërbim të UV vlerat e çmuara intelektuale, individuale dhe institucionale si dhe për virtytet e larta qytetare dhe humane të cilat karakterizojnë Z. Patricio Di Tursi, duke ndikuar në nivelet e ndryshme të politikës italiane, vendimarrjeve arsimore universitare e kulturore në të mirë të objektivave strategjike të UV.
Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi, në emër të institucionit që drejton, i shprehu Z.Patrizio Di Tursi respektin dhe mirënjohjen e çdo studenti dhe çdo personeli të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, për ndihmën, bujarinë, altruizmin njerëzor dhe akademik që ka dëshmuar në këto vite bashkëpunimi në funksion të progresit të UV. Ai theksoi se, te një personalitet si Z. Patrizio Di Tursi, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë identifikon gjithmonë vlerat e një ndihme akademike e institucionale të besueshme, efektive dhe miqësore, tek nismat dhe kontributet personale për ndërtimin e partneriteteve afatgjata të UV me universitetet italiane e euroiane, me fokus modernizimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, kualifikimin profesional e shkencor të personelit akademik të UV dhe edukimin e studentëve me vlerat universale qytetare dhe humane.
Dy relatorët, Zëvëndës Rektorja Akademike e UV, Prof.Asoc. Frosina Londo dhe Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë në Fakultetin e shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Erion Hitaj, theksuan faktin se, nderimi i Z. Patrizio Di Tursi është tregues i vetëdijësimit tonë të përbashkët për rivendosjen e UV në një kontekst të ri global e të hapur shkëmbimesh, gjë që e bën kuptimplotë vendimin që Senati i UV ka marrë për të vlerësuar z.Patrizio Di Tursi me titullin “Honoris Causa”. Patrizio Di Tursi ka qenë promotor i nismave të shumta, të cilat kanë patur në fokus realizimin e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universiteteve italiane, duke synuar kështu të promovojë universitetet, të zgjerojë mirëkuptimin mes tyre dhe të zhvillojë më tej bashkëpunimin ndëruniversitar. Ai ka kontribut të jashtëzakonshëm në marrëveshjet e suksesshme të bashkëpunimit që UV vijon me universitetet italiane të Veronës, Ferrarës, Bolonjës, Bazilikatës, Sienës, Kalabrisë, etj. Falë marrëveshjeve të bashkëpunimit, si edhe aplikimit të programeve të përbashkëta në programin Erasmus +, janë vendosur urat e bashkëpunimit për një sërë fushash, në shërbim të arsimit cilësor të studentëve, kërkimit shkencor dhe kualifikimit të stafeve akademike me këto universitete.
Pas përfundimit të relacioneve, Rektori i UV. Prof. Dr. Roland Zisi i dorëzoi zyrtarisht Z. Patrizio Di Tursi titullin dhe diplomën e lartë akademike “Doctor Honoris Causa”.
Patrizio Di Tursi, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen e thellë për mikpritjen dhe vlerësimin e bërë nga Rektori i UV, Prof. Dr. Roland Zisi dhe nga autoritetet e UV, duke theksuar se në të gjithë rrugëtimin e tij profesional marrja e një titulli të tillë si “Honoris Causa”nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është një ndër ato suksese që padiskutim e emocionojnë. Ai pohoi se, nderimi nga një institucion akademik si UV është jo vetëm sukses profesional por edhe njerëzor, si dëshmi e qartë e lidhjes së tij shpirtërore me UV, me Vlorën dhe Shqipërinë. Z. Patrizio Di Tursi theksoi faktin se, lidhja e ngushtë mes dy shteteve Itali-Shqipëri do të vijojë më tej përmes bashkëpunimeve mjaft të frytshme në të gjitha nivelet ku bashkëpunimi akademik mes institucioneve të arsimit të lartë të dy shteteve do të vijojë të zërë vend të veçantë, me interestë përbashkët të të dy shteteve respektive.