njoftime

POETI LAUREAT I LETËRSISË SHQIPE DHE SHKRIMTARI SHQIPTAR, RUDOLF MARKU, NË NJË BASHKËBISEDIM LETRAR NË UV

Ditën e mërkurë, datë 05.04.2023, në mjediset e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlore, u zhvillua bashkëbisedimi me poetin Laureat të Letërsisë Shqipe dhe publicistin shqiptar, Rudolf Marku, i cili shoqërohej nga Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi, nga poeti Sadik Bejko dhe përkthyesi I mirënjohur Bajram Karabolli.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar në formatin e një bashkëbisedimi, në kuadër të 50-vjetorit të Udhëtimit Poetik të Poetit Laureat, Rudolf Marku, ishin, poetë, shkrimtarë, artistë, piktorë, studentë dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë si dhe dashamirës të librit.

Aktiviteti u moderua nga Drejtori i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Z. Albert Abazaj.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe e cilësoi Rudolf Markun si një nga të rrallët shkrimtarë që, me gjuhën e përshtatshme dhe të kuptueshme nga të gjithë, përmes stilit të tij letrar na ka dhuruar vepra të pasura dhe koherente. Përmes këtyre veprave ai ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti.

Përkthyesi Z. Bajram Karabolli, në referatin e tij, shprehu konsideratat më të larta për poetin dhe publicistin Rudolf Marku, duke e cilësuar atë si një përfaqësues shumë dinjitoz të letërsisë i cili me stilin e tij i ka dhuruar lexuesit letërsi të mirëfilltë jo vetëm përmes krijimeve të tij por edhe përmes përkthimve të realizuara me mjaft mjeshtëri..

Poeti, Z. Sadik Bejko duke iu referuar motivacionit për të cilin Rudolf Marku u vlerësua me titullin “Poet Laureat”, theksoi faktin se, ai i ka shërbyer kulturës kombëtare, duke sjellë në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, në përshëndetjen e tij falenderoi poetin dhe publicistin Rudolf Marku për praninë e tij në mjediset e UV-së në një bashkëbisedim mjaft të çmuar. Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, pohoi se, kontributi i Poetit Laureat të Letërsisë Shqipe dhe publicistit Rudolf Markui në Letërsinë Shqipe është i jashtëzakonshëm pasi përmes vargut të tij, Rudolf Marku, ka arritur të shpreh me një gjuhë të përshtatshme atë që mbetet përherë te njeriu, duke kapërcyer kontekstet historike, politike e gjeografike.

Dr. Asime Feraj, në referatin e saj u ndal konkretisht tek ndihmesa që Rudolf Marku ka dhënë për gazetën “Drita”.

Piktori, Z. Nestor Junuzi, pohoi se, Rudolf Marku, jo vetëm ika rezistuar kohës së censurës komuniste, ai tani po i bën ballë edhe largësisë gjeografike ndaj Shqipërisë.

Kryetari Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, Z. Ahmet Dema dhe përkthyesja dhe gazetarja Znj. Laureta Petoshati, në fjalët e tyre përshëndetëse pohuan se një personalitet i tillë si Rudolf Marku është krenari për të gjithë ne, për sa shumë ai i ka dhuruar Letërsisë Shqipe përmes krijimtarisë së tij të jasshtëzakonshme.

Poeti Laureat, publicisti Rudolf Marku, përveç që ka një penë që flet shumë nëpërmjet saj, ai tregohet edhe tejet modest për këtë sukses, duke e parë këtë arritje më shumë si një vlerësim për poezinë shqipe.

Ai falenderoi Rektorin e UV-së për organizimin e aktivitetit, ndërsa shprehu kënaqësinë që është pjesë e një bashkëbisedimi të tillë, mes shkrimtarëve, artistëve, piktorëve, studentëve dhe pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, duke theksuar faktin se, nuk ka kënaqësi më të madhe për një krijues se fakti që vepra mbërrin në duar që e kuptojnë si duhet mesazhin që ajo përcjell.

Poeti Laureat i Letërsisë Shqipe dhe publicisti shqiptar, Rudolf Marku, iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve të UV-së, të cilët ishin mjaft të interesuar për të ditur më shumë rreth krijimtarisë së tij ndërsa studentët; Eraldo Hatia dhe poetja e re, Razielda Hitaj, përshëndetën përmes referimeve të tyre duke recituar edhe poezi nga krijimtaria e poetit.