Në kuadër të 7-8 Marsit, Festave të Mësuesit dhe të Gruas, me nismën e Rrjetit të Grave Frankofone, në kuadër të “Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri”, ditën e martë, 7 Mars 2023, në sallën “Rilindja”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u zhvillua edicioni i Gjashtë i Forumit Kombëtar të Grave Shqiptare Frankofone, me temë “Inovacioni dhe teknologjia për fuqiziminn e gruas – Figura e gruas në rrjetet sociale”, aktivitet i organizuar nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës, Universitetin e Shkodrës, Ambasadën Franceze në Shqipëri dhe Agjencinë Universitare të Frankofonisë.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte qasja gjinore ndaj inovacionit, teknologjisë dhe edukimit digjital, përparimet në teknologjitë digjitale si mundësi të jashtëzakonshme për një zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të cilat çojnë në fuqizimin e gruas si mësuese dhe sipërmarrëse.
Veprimtarinë e çeli Znj. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës e cila u fokusua në rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara në sektorin e teknologjisë, e parë kjo si një zgjidhje kreative që ofron potencial të madh për inovacione të cilat plotësojnë nevojat e grave, promovojnë barazinë gjinore dhe rrisin mirëqenien e shoqërisë. Ajo theksoi se, për fuqizimin e grave është e rëndësishme të forcohen aftësitë digjitale dhe aksesi i tyre në teknologji, prandaj, nevoja për teknologji gjithëpërfshirëse dhe transformuese dhe edukim digjital është thelbësor për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për gruan por pë gjithë shoqërinë.
Këtë Forum e përshëndeti në vijim, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi i cil shprehu kënaqësinë që edicioni i Gjashtë i Forumit Kombëtar të Grave Shqiptare Frankofone u zhvillua në UV si angazhimin e institucionit që drejton për zhvillimin e aktiviteteve të tjera me fokus frankofoninë, komunikimin digjital dhe figurën e gruas.
Më pas përshëndetën këshilltarja e Ministres së Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, Znj. Ana Petani, si dhe (online) Z. Mohamed Ketata, Drejtori Rajonal i Agjensisë Universitare Frankofone për Europën Qëndrore dhe Lindore i cili theksoi se, aktivitete të tilla janë shumë të vlefshme për ta nxitur edhe më tej fuqizimin e gruas në shoqëri.
Aktiviteti u zhvillua i organizuar ne tri panele, me tematika dedikuar figurës së gruas dhe koontributit të padiskutuar të saj në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave përmes aftësive digjitale.
Gjatë punimeve të këtij Edicioni, referuan:
Znj. Valentina Duka – Pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës: “Gruaja, humanitetet dhe inovacioni.”
Znj. Majlinda Keta, Znj. Odeta Kromiçi – Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës: “Profili gjinor i sfidës me teknologjinë, inovacionin dhe etikën digjitale në UT”.
Znj. Linda Shomo – Themeluese dhe CEO e kompanisë “EasyPay”: “Krijimi i sipërmarrjes nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe të komunikimit dhe sfidat e kësaj sipërmarrjeje për një grup.”
Znj. Alda Bardhyli – Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit: “Ndikimi i lëvizjeve feministe franceze në letrat shqipe.”
Znj. Albana Muçaj – Themeluese dhe drejtuese e Qendrës Multifunksionale për fëmijë “Kallz”: “Women Startup Competition.”
Znj. Etleva Domi – Nëndrejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë: “Zhvillimet teknologjike dhe aftësimi në media dhe informacion: Sfida e bibliotekave sot.”
Pjesa e dytë e aktivitetit iu kushtua tematikës “Portretizimi i gruas shqiptare në rrjetet sociale” nën moderimin e Znj. Ogerta Koruti, Pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Referuan në panel: Znj. Edlira Çepani – Koordinatore kombëtare e rrjetit “Barazia në Vendimmarrje”: “Teknologjia, zëri i grave në vendimmarrje.”
Znj. Adriana Gjika – Pedagoge në Universitetit Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë: “Gruaja dhe teknologjia.”
Znj. Elsa Skënderi Rakipllari – Zv. Dekane në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës: “Diskursi për gratë në rrjetet sociale.”
Znj. Dhurata Hoxha,– Pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër: “Formimi i vazhduar i mësuesve të gjuhës frënge përballë përparimeve të teknologjisë digjitale.”
Znj. Armela Panajoti – Dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti i Vlorës: “Performanca digjitale shoqërore dhe formësimet e modeleve gjinore në teknologji dhe inovacion.”
Znj. Stelina Ndreu – Kryetare e Këshillit studentor në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja: “Ndikimi i rrjeteve sociale te vajzat e reja dhe zhvillimi i tyre profesional.”