njoftime

VIZITË PUNE E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË Z. ARTUR METANI, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI” VLORË – MEMORANDUM BASHKËPUNIMI MES UV DHE ILD – LEKSION I HAPUR ME STUDENTËT E DREJTËSISË, ME TEMË: “ROLI I ILD NË ARKITEKTURËN E RE TË SISTEMIT TË DREJTËSISË”

Ditën e premte, datë 27. 01. 2023, me ftesë të Rektorit Prof. Dr. Roland Zisi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani, vizitoi Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Rektori i UV i uroi mirëseardhjen drejtuesit më të lartë të ILD, duke e konsideruar vizitën e tij, si hapin e parë të një bashkëpunimi të frytshëm mes dy institucioneve dhe si një ndihmesë të çmuar për studentët dhe pedagogët e Departamentit të Drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani,  pasi falenderoi Rektorin e UV-së për ftesën dhe mikpritjen, u fokusua kryesisht në përgjegjësinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson për të sqaruar dhe shpjeguar rolin e ILD si një organizëm i ri në strukturën e sistemit të drejtësisë, në vendin tonë, si dhe në bashkëpunimin që kjo strukturë duhet të ndërtojë me gjithë IAL që kanë fakultete dhe departamente që zhvillojnë programe studimi në fushë të drejtësisë. Për z. Metani, lidhja e ngushtë me studentët e programeve të studimit të Drejtësisë së UV, do të jetë mekanizmi i duhur, me qëllim që ata të kryejnë praktika profesionale dhe intershipe më cilësore.

Ai vijoi më tej me idenë se opinioni i gjerë publik duhet të ketë informacionin e duhur mbi rolin dhe funksionet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një nga institucionet e reja të reformës në drejtësi, përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, si dhe inspektimin institucional të zyrave të prokurorive e gjykatave, etj.

Nga ana e tij Rektori i UV-së, Pof. Dr. Roland Zisi, nënvizoi faktin se ndihej i nderuar që ILD do të kontribojë në mënyrë cilësore, në zhvillimin profesional të studentëve dhe pedagogëve të departamentit të Drejtësisë si dhe në modernizimin e mëtejshëm të kurrikulës mësimore.

Në fund të këtij takimi, dy drejtuesit e institucioneve nënshkruan edhe një Memorandum Bashkëpunim mes UV dhe ILD i cili ka si synim konkretizimin inisiativave të përbashkëta në:

  1. Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e drejtësisë, përfshirë nisma që kanë karakter akademik, hulumtues dhe të shkëmbimit të  përvojave të nevojshme,
  2. Shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta për ndërtimin e programeve edukuese që i shërbejnë komunitetit të studentëve,
  3. Mundësitë e zhvillimit të praktikës profesionale për studentët e Departamentit të Drejtësisë pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë,
  4. Organizimin e tryezave dhe konferencave të përbashkëta që kanë në fokus edukimin ligjor dhe professional, etj.

Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi Bashkëpunimi,  Rektori e shoqëroi Z. Artur Metani, në godinën e FSHHD, në një prej auditoreve të të cilit ai zhvilloi leksionin e hapur me studentë të Departamentit të  Drejtësisë, me temë: “Roli i ILD-së në arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë”. Studentët treguan mjaft interes për çështjet e leksionit dhe i drejtuan Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shumë pyetje, referuar tematikës së trajtuar, duke  i dhënë komunikimit dypalësh, formën e një dialogu të frytshëm akademik.

Të pranishëm gjatë vizitës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në UV ishin edhe Administratori i UV-së, Sajmir Xhelaj, Zëvendësrektori Akademik, Prof. Asoc. Frosina Londo,  Zëvendësrektori për Kërkim Shkencor dhe Zhvillim Institucional, Prof. As. Enkelejd Mëhilli, Dekania e FSHHD, Prof.Asoc. Armela Panajoti, Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë, PhD. Erjon Hitaj, dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore, znj. Eloina Tozaj.