njoftime

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, nderon me titullin “Honoris Causa” Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Këtë të mërkurë, datë 02.11.2022, në sallën “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, u zhvillua ceremonia e nderimit me titullin e lartë akademik “Honoris Causa” Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Ishin të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm, anëtarët e Senatit Akademik të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Rektor i Universitetit “Fan Noli”, Korçë, Prof. Dr. Dhimitër Bello, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello, profesorë, studentë, familjarë dhe miq të Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi theksoi se, kjo është një ngjarje akademike e kulturore, me vlera të veçanta sepse Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali,”, Vlorë, pasi shqyrtoi propozimin e departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në mënyrë unanime, i akordoi Prof. Dr. Shezai Rrokaj, titullin dhe diplomën e nderit “Doctor Honoris Causa”. Ky është vlerësimi më i lartë që institucioni ynë, si një akt mirënjohjeje, u akordon autoriteteve të spikatura që japin kontribute në zhvillimin dhe progresin e tij, ashtu siç në vazhdimësi ka bërë Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, përmes mbështetjes për kualifikimin shkencor të personelit akademik të UV-së, si pjesëtar i këtij universiteti në Këshillin e Profesorëve si dhe për vlerat institucionale, individuale dhe humane të cilat karakterizojnë personalitetin e Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Në përfundim të fjalës së tij, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, theksoi faktin se, kjo ceremoni konfirmon edhe një herë traditën dhe filozofinë e UV-së, i cili vlerëson, nderon dhe respekton figura të shquara, brenda dhe jashtë vendit, intelektualë europianë dhe botërorë, autoritete të spikatura të arsimit, shkencës, kulturës, politikës, diplomacisë dhe biznesit.

Pedagogët e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë Shqipe, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe Prof. Asoc. Monika Hasani, në referimet e tyre u fokusuan te kontributi i veçantë akademik dhe shkencor që ka Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në zhvillimin e arsimit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve, si në nivel parauniversitar edhe në atë universitar.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, në cilësinë dhe të përgjegjësit të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike në UV, theksoi se, veprimtaria kërkimore -shkencore e Prof. Dr. Shezai Rrokaj, në vijueshmëri ka qenë e lidhur ngushtësisht me studime shkencore të fushës së Albanologjisë, si dhe me Shkencën e Gjuhësisë Shqipe, brenda e jashtë vendit, përmes prirjeve evolutive të mendimit të thelluar. Dëshmi e qartë e këtij kontributi të çmuar që ka dhënë Prof. Dr. Shezai Rrokaj janë botimet shkencore të tij, si pjesë e një veprimtarie të gjerë, të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, pohoi Prof. Dr. Bardhosh Gaçe.

Prof. Asoc. Monika Hasani, në cilësinë e përgjegjëses së Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pohoi se, shkencëtari që po nderojmë sot është shembulli më i mirë që tregon se shkenca është vatra që i shërben kombit, ruan e çon përpara vlerat më të shenjta të tij, si pasuritë kulturore e shpirtërore , gjuhën amtare, tolerancën dhe qytetarinë.

Duke iu referuar kontributit plot vlerë gjatë rrugëtimit shkencor të Prof. Dr. Shezai Rrokaj, duhet të theksoj se, profesionalizmi dhe produktiviteti shkencor, prirja drejt studimeve gjuhësore spikatën tek Prof. Dr. Shezai Rrokaj shumë herët, duke hedhur hapa të qendrueshëm drejt një të ardhmeje të sigurt në fushën e shkencës së gjuhësisë e me gjerë.

Prof. Dr. Shezai Rrokaj, ka botuar mbi 20 tekste e monografi, si dhe një seri artikujsh në revista dhe buletine shkencore për problemet e gjuhësisë, në fushën e mësimdhënies të Gjuhës Shqipe në shkolla, analiza veprash të shkrimtarëve më në zë, si dhe në përgatitjen e fjalorëve të ndryshëm gjuhësor. Kontributi i Pr. Dr. Shezai Rrokaj është i madh dhe në përgatitjen e teksteve mësimore dhe monografive për çështje të gjuhës shqipe, theksoi Prof. As. Monika Hasani.

Znj. Vilma Bello, në cilësinë e pedagoges në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë e më pas si Zv. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se, “Jam një nga shumë kolegët që sot do të ndihej veçanërisht i privilegjuar të merrte fjalën në nderim të profesorit tonë, gjuhëtarit te çmuar e njeriut bujar, Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Për këtë jam shumë mirënjohëse, sepse e di që kushdo që mund te ishte ne vendin tim sot, me plot të drejtë, ish- studentë të Prof. Dr. Shezai Rrokaj, apo ne që na ka udhëhequr në studime shkencore a vleresuar në komisione për marrjen e gradave e titujve përgjatë rrugëtimit tonë akademik, të gjithë i detyrohemi një “Faleminderit” të madhe, për ato që na mesoi me punën e sidomos me shembullin e tij, një njeri i jashtëzakonshëm si Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Pr. Dr. Shezai Rrokaj, është mishërimi i një geni që është e mira të trashëgohet në Akademinë shqiptare. Këtë e kam në kuptimin më të gjerë të fjalës, në tërësinë e Gjuhësisë Shqiptare, në tutoratin e domosdoshëm për të rinjtë, si model i arritjeve të shkëlqyera shkencore dhe si një profil njerëzor i lartë”, theksoi Bello.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Albert Qarri dhe në cilësinë e anëtarit të Senatit Akademik të UV-së, shprehu konsideratat më të larta për punën e vyer të Prof. Dr. Shezai Rrokaj, si një akademik model, shembullin e të cilit duhet ta ndjekin të gjithë pedagogët. Ky vlerësim i UV-së ndaj Prof. Dr. Shezai Rrokaj na nderon të gjithëve ne, të cilët kemi patur fatin të bashkëpunojmë me një personalitet të lartë si Prof. Dr. Shezai Rrokaj, theksoi Prof. Dr. Albert Qarri.

Në fund të referateve kushtuar punës së Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, i dorëzoi Prof. Dr. Shezai Rrokaj, titullin dhe diplomën e nderit “ DOCTOR HONORIS CAUSA”, me motivacionin “Personalitet i gjuhësisë shqiptare me kontribute të çmuara në zhvillimin e Arsimit të Lartë Shqiptar, veçanërisht në shkencën e Albanologjisë, brenda dhe jashtë vendit. Për kontribut të çmuar në fushën e arsimit me ndikim të fuqishëm në Arsimin Parauniversitar, në mënyrë të veçantë me botimin si bashkëautor i Abetares së Parë Mbarëkombëtare. Për ndihmesen e vyer në zhvillimin dhe modernizimin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, si dhe për kontributin bujar në promovimin e personelit akademik te tij”.

Prof. Dr. Shezai Rrokaj, duke falenderuar Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, Fakultetin e Shkencave Humane, Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Senatin Akademik, Rektoratin e UV-së, pedagogët dhe studentët, për praninë e tyre në aktivitet theksoi se, është nder dhe privilegj marrja e një vlerësimi të tillë.

Nderimi në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë dhe nga Universiteti “Ismail Qemali”, ka një tjetër ndjesi pasi, të nderohesh në vendlindje është një emocion i veçantë. Ndihem i nderuar në këtë ditë të veçantë për mua dhe familjen time.

Është kënaqësi që do të më shoqërojë në jetë pikërisht ky vlerësim i dhënë nga Ju, kolegët e mi e në veçanti nga një universitet dinjitoz, siç është Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, institucion i lartë arsimor, me të cilin kam patur dhe kam fatin të bashkëpunoj”, pohoi Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Prof. Dr. Shezai Rrokaj i dhuroi bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, disa botime shkencore që mbajnë emrin e tij e që padiskutim do t’iu vijnë në ndihmë pedagogëve dhe studentëve të UV-së.