njoftime

Aktivitet nderimi për poetin Ali Asllani

Në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë u zhvillua aktivitet nderimi për poetin Ali Asllani. Organizatorë të aktivitetit ishin Biblioteka Universitare, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Departamenti i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, nën kujdesin e veçantë të Rektorit të universitetit, Prof. Dr. Roland Zisi.

Të pranishëm në aktivitet studiues të mirënjohur të Letërsisë shqipe, akademikë, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, intelektualë të qytetit dhe shumë studentë të Uiversitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
Aktiviteti kishte si kryefjalë jetën dhe veprën e Ali Asllanit, këtij personaliteti të shquar për kontributin që ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

Moderator i aktivitetit ishte poeti Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore.

Në të gjitha referatet e mbajtura nga: regjisori i mirënjohur i TVSH,Ylli Pepo, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, përgjegjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Prof. As. Frosina Londo Qyrdeti, Dr. Mariglena Meminaj, studiuesi Gëzim Zilja dhe publicisti Ahmet Demaj, u theksua fakti se veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore.

Ali Asllani dha një kontribut të shquar dhe të pazëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi la gjurmët dhe shembullin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

Referuesit ritheksuan faktin e pamohueshëm se, lidhja e madhe e krijimtarisë se Ali Asllanit  me këngën popullore të Labërisë, gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij.

E veçanta e kësaj veprimtarie, në kuadër të 140 vjetorit të lindjes së Poetit dhe 80 vjetorit të poezisë “Hakërrim” ishte shfaqja e premierës së programit dokumentar ” Ali Asllani, poeti i madh i Laberise”, kushtuar Ali Asllanit, personalitet i shquar i Letërsisë Shqipe. Ky film dokumentar ishte një këndvështrim kulturor-artistik ndryshe i treshes realizuese, me skenar të Valentina Hysi, drejtor fotografie Xhemal Reçi dhe regjisor Ylli Pepo, ku 6 aktorë kërkojnë 1 poet, me pjesëmarrjen e 6 aktorëve tanë të njohur: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Pajazit Murtishi (strugan), Bujar Asqeriu, Sokol Angjeli, Gazmend Paja, si dhe të kantautorit gjakovar Artan Bakija me një kompozim të ri të një poezie të xha Aliut.

Eksluzive në këtë film dokumentar ishte intervista e pa transmetuar më parë e të madhit Dritëro Agolli për Ali Asllanin, mundësuar në vitin 2010.

Programi u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.