njoftime

Bashkëpunim dhe binjakëzim me Universitetin “ST. Kliment OHRIDSKI”, Bitola, Maqedoni e Veriut

Në kuadër të bashkëpunimit dhe binjakëzimit me universitetet e tjera, Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqëruar dhe nga drejtorja e Zyrës së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe Projekteve, Rezarta Sinanaliaj, priti këtë të mërkurë në zyrën e tij, Rektorin e universitetit “ST. Kliment OHRIDSKI”, Bitola, Maqedoni e Veriut, Prof. Dr. Sasho Korunovski.

Vizita erdhi me kërkesë të Rektorit Korunovski, i cili më herët kishte shprehur dëshirën për të vizituar universitetin “Ismail Qemali’ Vlorë, me qëllim nisjen e bashkëpunimeve mes dy universiteteve, për mobilitetin e stafit Erasmus+ për zgjerimin e bashkëpunimit mes stafeve dhe studentëve si dhe shtimin e trajnimeve mes dy universiteteve respektive brenda programit të BE-së.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke falenderuar Rektorin Korunovski për vizitën e tij dhe për interesin për të bashkëpunuar me universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, në fjalën e tij theksoi se është i nderuar për këtë vizitë dhe mbi të gjitha për faktin se ky është hapi i parë drejt konkretizimit të bashkëpunimeve mes dy universiteteve.

Rektori Korunovski duke falenderuar Rektorin e UV-së për mikpritjen e ftoi Rektorin Zisi në universitetin “ST. Kliment OHRIDSKI”, Bitola, Maqedoni e Veriut, vizitë e cila u la të realizohet në muajin shtator, pikërisht atëherë kur do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit.