Thirrje për bursa studimi për studentë në kuadër të Programit “Erasmus +” për komponentin KA1 International Credit Mobility në Universitetin e Atikës Perëndimore (University of West Attica) në Greqi.
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë në bashkëpunim me Universitetetin e Atikës Perëndimore, në kuadër të Programit “Erasmus+” për komponentin KA107, fton të gjithë studentët e UV-së të aplikojnë për mobilitet studimi.
Në përfundim të mobilitetit, studentët do të vijojnë studimet në universitetin e tyre të origjinës (UV). Ata nuk do të paguajnë asnjë tarifë shkollimi në universitetin pritës, por do të vazhdojnë të paguajnë tarifat që aplikohen në universitetin e tyre të origjinës (UV). Shpenzimet do të mbulohen nga skema “Erasmus +”, komponenti KA1 për mobilitet studimi.
Numri i mobiliteteve për studim: 1 (një)
Periudha e mobilitetit: Semestri “Vjeshtë 2022”
Bursa mujore: 850 EUR/muaj
Kosto e udhëtimit: 180 Euro
Distanca përllogaritet në bazë të largësisë referuar linkut https://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/resources/distance-calculator_en
Kriteret për aplikantët:
- Të jetë student “Bachelor” (përjashtohen studentët e vitit të parë) në fushën Infermieri e Përgjithshme, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Teknologji Informacioni, Inxhinieri Elektrike, Inxhinieri Mekanike dhe Inxhinieri Navale, Financë dhe Kontabilitet, Administrim Biznesi.
- Të jetë student “Master” i fushës: Infermieri Patologjike, Infermieri Kirurgjikale, Administrim Biznesi, Inxhinieri Elektrike, Inxhinieri Mekanike dhe Inxhinieri Navale.
- Të zotërojë njohuri të mira të gjuhës angleze, minimumi niveli B2 ose të zotërojë mirë gjuhën që zhvillohen programet e studimit në universitetin pritës. Përjashtim nga ky detyrim bëjnë studentët e gjuhës angleze.
Kriteret e përzgjedhjes:
Studentët do të përzgjidhen në bazë të skemës së miratuar në rregulloren “Për
Implementimin e Marrëveshjeve Ndër-institucionale në Kuadër të Programit “Erasmus+” KA107 International Credit Mobility’’, sipas fushave të mëposhtme:
- Merita akademike.
- Kompetenca gjuhësore.
- Pjesëmarrja në mobilitete në të njëjtin cikël studimi.
Kritere të tjera shtesë:
- Prioritet do t’u jepet studentëve që u përkasin grupeve me diversitete sociale ekonomike, gjinore, racore, ngjyre, aftësi të veçanta, etj.
- Barazia gjinore (aty ku është e mundur, të përzgjidhen kandidatë të barabartë në numër për nga gjinia).
Procedura e përzgjedhjes së studentëve:
- UV ngre një komision ad-hoc, i cili do t’i rendisë kandidatët në bazë të skemës së pikëzimit si dhe kritereve të thirrjes.
- Kandidatët fitues do të njoftohen prej SPMJ-së në adresën e tyre të email-it.
- Kandidatët aplikues kanë të drejtën e ankimimit kundër vendimit të komisionit ad-hoc pranë Rektorit brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.
- Në përfundim të afatit të ankimimit, SPMJ përcjell listën e studentëve të nominuar pranë WATU.
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
- Formular aplikimi.
- Kopje e dokumentit identifikues/pasaportë.
- Vërtetim studenti.
- Transkript notash.
- Dokument që vërteton njohjen e gjuhës angleze minimalisht në nivelin B1 (nëse e dispononi).
- Letër motivimi.
- Dokument që vërteton aftësinë e kufizuar (nëse e dispononi).
- Dokument që vërteton që studenti është anëtar i komunitetit rom ose egjiptian (nëse e dispononi).
- Dokument që vërteton që studenti vjen nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike ose bursë nga shteti (nëse e dispononi).
Ju lutem, kini në vëmendjen tuaj që realizimi i mobilitetit sipas periudhës së planifikuar do të varet nga situata Covid-19.
Dorëzimi i dokumentave të aplikimit kryhet në një nga mënyrat e mëposhtme:
- Elektronikisht (të skanuara në formatin pdf) në adresat:
- international@univlora.edu.al
- Dorazi pranë Sektorit të Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë pranë Rektoratit, Kati i I-rë.
Afati i fundit i aplikimit është 31/05/2022.
Më shumë informacion për Universitetin e Atikës Perëndimore dhe katalogun e kurseve mund t’i gjeni në faqet e internetit:
https://erasmus.uniwa.gr/en/erasmus/course-catalogue/
Përpara fillimit të mobilitetit studentët fitues plotësojnë një dokument të quajtur Learning Agreement (Marrëveshje që vendoset midis studentit që aplikon, universitetit të origjinës si dhe universitetit prites, në të cilën paracaktohen kurset me kreditet përkatëse sipas kriterit të numrit minimal të krediteve që studenti do të ndjekë gjatë semestrit në universitetin pritës, të cilat do t’i njihen në përfundim të tij dhe në vijim të studimeve në universitetin e origjinës).
KUJDES! Studenti, i cili do të kryejë gjatë një semestri mobilitetin në universitetin pritës, duhet të zgjedhë lëndë ekuivalente/ngjashme me ato që do të zhvillonte në UV në po atë semestër. Kreditë të pazgjedhura nga studentët që aplikojnë për mobilitet, për shkak të ndryshimeve midis programeve të studimit të UV-së dhe atyre të universitetit pritës, mbeten pjesë e detyrimeve akademike të programit të studimit që ndjek studenti aplikant të cilat ai/ajo duhet t’i shlyejë sipas rregulloreve përkatëse të UV-së.
Për më shumë informacion rreth skemës së mobilitetit dhe mënyrës së aplikimit mund të kontaktoni me:
- Sektorin e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Rektoratit, Kati i I-rë në adresën e –mailit: international@univlora.edu.al
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë ju uron suksese!
FORMULAR STUDENT uni west attica (1)