Takim i Rektorit Prof. Dr. Roland Zisi me Ministrin e Drejtësisë  Z. Ulsi Manja.

njoftime

Rektori i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi,  priti në zyrën e tij Ministrin e Drejtësisë  Z. Ulsi Manja.

Vizita e Z. Manja në universitetin e Vlorës lidhet veçanërisht  me faktin se krahas funksioneve të rëndësishme që ka ushtruar edhe më herët në sistemin e drejtësisë, për 10 vite me radhë, Z. Manja  ka shërbyer si pedagog i të Drejtës Penale dhe Procedurës Penale.

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke e falenderuar Ministrin e Drejtësisë për vizitën në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, u ndal konkretisht në mekanizmat me të cilat operon në veçanti Departamenti i Drejtësisë konform  kurrikulave akademike të cilat kanë si objektiv parësor përgatitjen dhe kualifikimin e studentëve për të ardhmen e një shoqërie të denjë europiane

Rektori Zisi në fjalën e tij theksoi se Departamenti i Drejtesisë, me një traditë tanimë të konsoliduar referuar  cilësisë së studimeve funksionon tërësisht në shërbim të misionit të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, për  përgatitjen e  studentëve së pasi si qytetarë të devotshëm dhe më pas si avokatë, juristë apo specialistë në sistemin e drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke falenderuar Rektorin Zisi për mikpritjen theksoi se është kënaqësi e veçantë vizita në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, instuticion i lartë arsimor ku diplomohen çdo vit studentë të Departamentit të Drejtësisë.

Pjesë e axhendës së ministrit të Drejtësisë ishte dhe leksioni i hapur  me studentët e Departamentit të Drejtësisë me temë ‘’Sfidat e gjyqësorit në Shqipëri dhe lufta kundër korrupsionit”.

Në bashkëbisedimin me studentët ministri Manja theksoi faktin se lufta kundër korrupsionit është prioriteti që kryeson mbi  çdo prioritet tjetër, duke pohuar se, tanimë më shumë se kurrë, parandalimi i korrupsionit është kryefjala e drejtësisë së re. Manja garantoi se me reformën shumë të kërkuar në drejtësi ka nisur ristrukturimi i gjithë sistemit të drejtësisë, një drejtësie te re, ku barazia përpara ligjit është etalon unik.

Studentët e universitetit “Ismail Qemali” treguan interes të veçantë në bashkëbisedimin me Ministrin e Drejtësisë, në kuadër të leksionit të hapur, duke i drejtuar pyetje të ndryshme me në fokus pikërisht sfidat e gjyqësorit në Shqipëri dhe luftën konkrete  kundër korrupsionit.

Manja u ndal në faktin se studentët e Departamentit ë Drejtësisë kanë qëne dhe mbeten të parapëlqyer për t’u punësuar në organet e sistemit të drejtesisë, si dhe në institucione të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, duke i cilësuar si brezi i cili do të kontribuojë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, si,  gjyqtarë dhe prokurorë në të ardhmen,  si pjesë e organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë, pjesë e trupave këshilluese të gjyqtarëve të gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj.

Ministri Manja në fund të bashkëbisedimit me studentët e Departamentit të Drejtësisë i inkurajoi ata që si juristët e së ardhmes të gjenerojnë ide që i japin zgjidhje sfidave aktuale dhe perspektives së sistemit të drejtësisë.

Ministri Manja garantoi studentët mbi  faktin se Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me Departamentin e Drejtësisë, për të rekretuar pranë vetes në bazë të meritokracisë njerëzit që në thelb të punës së tyre do të kenë dëshirën për të kontribuar në sistemin e drejtësisë.