Takim bashkëpunimi i Rektorit Prof. Dr. Roland Zisi me profesor Francesco Cupertino, Rektor i Universitetit Politeknik të Barit

njoftime

Në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin Politeknik të Barit, Rektori i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, mirëpriti në zyrën e tij, këtë të premte, Rektorin e Universitetit Politeknik të Barit, profesor Francesco Cupertino, shoqëruar nga profesorët italianë, Loredana Ficarelli, prof. Francesco Defilippis, prof.Mariangela Turchiarulo dhe prof. Umberto Paniello

Në fokus të kësaj vizite ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për hartimin e programeve të perbashkëta studimi.

Ky bashkëpunim akademik vjen në kuadër të qëllimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nën kujdesin e veçantë të ministres, Znj. Evis Kushi, për shtimin e bashkëpunimeve në nivel akademik.

Bashkëpunimi midis universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe Universitetit Politeknik të Barit, është vijimësi e komunikimit të vazhdueshëm për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin institucional me qëllim jo vetëm shkëmbimin e eksperiencave profesionale sipas universiteteve respektive por dhe për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave akademike në kuadër të një binjakëzimi konkret.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke falenderuar Rektorin e universitetit të Barit dhe profesorët italinë për vizitën e tyre në Universitetin e Vlorës, shprehu angazhimin e të gjitha strukturave akademike të universitetit “ Ismail Qemali” të Vlorës, për garantimin e një bashkëpunimi mjaft të frytshëm, në përputhje me interesat e përbashkëta të dy universiteteve.

Rektori i Universitetit Politeknik të Barit dhe profesorët italianë falenderuan Rektorin Zisi, duke theksuar se bashkëpunimi me universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për hartimin e programeve të përbashkëta është hapi i parë i bashkëpunimeve mjaft cilësore mes dy universiteteve.

Pjesë e axhendës së profesorëve italianë ishte dhe takimi me përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, vizitë e cila kishte në fokus konsultimin me grupin e punës së këtij fakulteti, për angazhimin konkret për të vijuar punën teknike për hartimin e 2 programeve të perbashkëta studimi.