njoftime

Mesazh i Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Prof. Dr. Roland Zisi mbi vaksinimin anti-COVID

Të dashur studentë,

Së pari, në emrin tim, në emrin e personelit akademik dhe administrativ, Ju përcjell urimet më të mira për fillimin e vitit të ri akademik 2021 – 2022, i cili sipas edhe njoftimeve që kemi marrë, fillon në datë 18 Tetor 2021.

Së dyti jemi të bindur se edhe pse gjendemi ende në situatë pandemie botërore C19, ne së bashku do të gjejmë forca, mënyra dhe zgjidhje të përshtatshme për vijimin normal të procesit mësimor.

Në këtë kontekst, përmes këtij komunikimi Ju inkurajojmë të merrni pjesë në procesin e vaksiminit i cili do t’Ju krijojë mundësi të gjithëve të realizoni një proces mësimor normal në auditor, por mbi të gjitha do të ndikojë pozitivisht në shëndetin tuaj personal si dhe të personave me cilët do të bashkëveproni.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Nr. 5447/2 Prot., datë 06.10.2021 ju ofron mundësinë që gjatë gjithë javës që vjen të kryeni dozën e parë të vaksinës. Për të lehtësuar këtë proces, nga data 11 deri në 18 Tetor, një grup profesionistësh të shëndetit të Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Vlorë do të ngrejë pranë Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, 2 qendra vaksinimi për studentët dhe stafin: një qendër në hollin e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë dhe një qendër në hollin e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrës.

Duke patur parasysh studimet e shumta shkencore të cilat qartazi tregojnë efektivitetin dhe sigurinë e vaksinave anti-COVID-19 si dhe vaksinimin e miliona personave në mbarë botën, ju nxisim të vaksinoheni. Për më shumë informacione mbi vaksinat anti-COVID mund të klikoni tek linku i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (http://shendetesia.gov.al/vaksina-anti-covid/) dhe/ose tek Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC – Centers for Diseases Control and Prevention) (https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/vaccines/about-vaccines/index.html ).

Për tju kthyher përsëri jetës normale Akademike dhe Universitare, VAKSINOHUNI!!

Ju uroj një vit të ri akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!

 

 

REKTORI

PROF. DR. ROLAND ZISI