Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali,”, Vlorë, nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” Prof. Alfred Josef Baldacchino, Rektor i Universitetit “Sancti Cyrilli” të Valletës, Maltë
Me ftesë të Rektorit dhe Kryetarit të Senatit Akademik të Universitetit “Ismail Qemali,”, Vlorë, prof. Roland Zisi, ditën e premte, datë 09. 07. 2021, Shkëlqesia e tij Tij Perandorake dhe Mbretërore Prof. Alfred Josef Baldacchino, Duka i Madh i Bizantit, Kreu i Stemës dhe Armëve të Dukës së Madh të familjes së Moskës dhe dinastisë RJURIK, Princi Perandorak i Enez me Titullin e Fisnikut dhe gradën e Princit Kham të Gagry dhe Markezi i Casual Grimaldo – Princ Mjeshtri i Madh i Ushtrisë Dinastike Sovranike ORDO BYZANTINUS SANCTI SEPULCHRI dhe Rektor i Universitetit “Sancti Cyrilli” të Valletës, Maltë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Annamaria Pozzi dhe disa profesorë të këtij universiteti, kreu një vizitë pune në Universitetin “Ismail Qemali,”, Vlorë.
Fillimisht prof. Alfred Joseph Baldacchino, Rektori i Universitetit “Sancti Cyrilli” të Valletës, Maltë, zhvilloi një bisedë të ngrohtë dhe miqësore me Rektorin, prof. Roland Zisi, në zyrën e tij, gjatë së cilës ata rikonfirmuan vullnetin dhe dëshirën e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve akademike dhe intensifikimin e veprimtarive mësimore, kërkimore, shkencore dhe pedagogjike mes dy universiteteve që drejtojnë.
Më pas në Aula Manjën e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Salla “Rilindja”, u zhvillua ceremonia e nderimit të rektorit prof. Baldacchino me titullin akademik të nderit “Doctor Honoris Causa”, propozuar nga Senati Akademik i Universitetit të Vlorës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë profesorë nga dy universitetet, studentë dhe qytetarë. Ishin të pranishëm gjithashtu deputetët e qarkut të Vlorës, znj. Vilma Bello dhe z. Anduel Tahiri, anëtarja e Këshillit të Bashkisë znj. Liljana Breshani, kryetari Këshillit të Qarkut, Vlorë, z. Ervis Moçka si dhe Kryetari i Dhomës së Tregëtisë, Vlorë, z. Arben Breshani.
Në çelje të ceremonisë, në fjalën e tij të rastit, Rektori prof. Roland Zisi argumentoi dhe interpretoi arsyet akademike dhe institucionale të vendimit të Senatit Akademik të UV, për nderimin e mikut të shquar, prof. Alfred Josef Baldacchino, Rektorit të Universitetit “Sancti Cyrilli” të Valletës, Maltë, me titullin akademik të nderit “Doctor Honoris Causa”. Ndër të tjera në fjalën e tij, prof. Zisi falenderoi rektorin Baldacchino “për ndihmën dhe mbështetjen altruiste dhe të pakursyer në ndërkombëtarizimin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, mbështetje që synon promovimin dhe aderimin e tij në rrjete universitare serioze e cilësore europiane e më gjerë, për kontributin e madh në ndërtimin e partneritetit akademik afatgjat mes dy institucioneve tona, me objektiv shkëmbimin e përvojave bashkëkohore në funksion të modernizimit të mësimdhënies, ngritjes së nivelit të kërkimit shkencor, edukimit të studentëve me vlerat më të mira qytetare europiane si dhe për vizionin në ndërtimin e urave kulturore, akademike e humane mes komunitetit shkencor të UV dhe Universitetit “Sancti Cyrilli”, Valleta të Maltës”
Më pas dr. Amalia Çipi, pedagoge dhe zëvëndësdekane e fakultetit të Ekonomisë dhe prof. asociuar Fjoralba Velaj, përgjegjëse e departamentit të Biznesit në UV, prezantuan për të pranishmit relacionet mbi vlerat dhe kontributet akademike, shkencore dhe administrative, ndër vite, të prof. Baldacchinos mbi të cilat u ideua dhe u mbështet propozimi për nderimin i tij me titullin e lartë akdemik nga Senati Akdemik i UV.
Më pas, në emër të Senatit Akademik, rektori i UV, prof. Zisi i dorëzoi prof. Alfred Josef Baldacchino, diplomën e nderit “Doctor Honoris Causa”, i cili në fjalën e tij të rastit falenderoi rektorin, Senatin Akademik, studentët dhe pedagogët e UV për vlerësimin dhe nderimin me titullin e lartë si dhe rikonfirmoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve akademike në funksion të objektivave dhe veprimtarive të përbashkëta në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor, publikimeve dhe sipërmarrjeve të ndryshme universitare.
Në përfundim të ceremonisë përshëndeti edhe prof. Francesko Favia, përfaqësues i Universitetit “Sancti Cyrilli”, Valleta të Maltës i cili nënvizoi arritjet e deritanishme të stafeve akademike të dy universiteteve në zhvillimin e disa konferencave shkencore ndërkombëtare me fokus ekonominë dhe turizmin si dhe rëndësinë e thellimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve njerëzore e akademike mes dy komuniteteve universitare respektive.
Fjala përshëndetëse e rektorit të Universitetit “Ismail Qemali,”, Vlorë, prof. Roland Zisi,
në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Dr. Honoris Causa”, Shkëlqesisë së tij Tij Perandorake dhe Mbretërore, Prof. Alfred Josef Baldacchino, Rektor i Universitetit “Sancti Cyrili” të Valletës, Maltë.
I nderuar Shkëlqesia e tij Tij Perandorake dhe Mbretërore Prof. Alfred Josef Baldacchino, Duka i Madh i Bizantit, Kreu i Stemës dhe Armëve të Dukës së Madh të familjes së Moskës dhe dinastisë RJURIK, Princi Perandorak i Enez me Titullin e Fisnikut dhe gradën e Princit Kham të Gagry dhe Markezi i Casual Grimaldo – Princ Mjeshtri i Madh i Ushtrisë Dinastike Sovranike ORDO BYZANTINUS SANCTI SEPULCHRI dhe Rektor i Universitetit “Sancti Cyrilli” të Valletës, Maltë!
E nderuara znj Annamaria Pozzi, bashkëshorte e Princit dhe rektorit Baldachino!
Prof. Alfredo Mosca,
Prof. Iris Cekani,
Prof. Mario Mascolo,
Prof. Francesco Favia,
Të nderuar anëtarë të Senatit Akademik të UV!
Të nderuar kolegë, profesorë, studentë dhe miq pjesëmarrës!
Në emrin tim personal, senatit akademik, studentëve dhe pedagogëve Ju falenderoj nga zemra që ndodheni këtu sëbashku me ne, në këtë ceremoni domethënëse, në Aula Manjën e universitetit të Vlorës, në një ngjarje akademike e kulturore, me vlera të vecanta: Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali,” i ka akorduar, prof. Alfred Joseph Baldacchinos, rektorit të universitetit të Valletës, në Maltë, titullin akademik të nderit “Doctor HonorisCausa“.
I nderuar Rektor Baldacchino!
Jemi shumë krenar për faktin se Ju jeni mik i shqiptarëve dhe konkretisht edhe mik i Universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës. Gjithashtu jemi shumë krenar për marrëdhëniet akademike që dy universitetet tona po zhvillojnë mes tyre. Qëllimi ynë i përbashkët është të shkëmbejmë eksperienca akademike, burime njerëzore dhe vlera morale në funksion të edukimit të brezave të rinj.
Jemi shumë të inkurajuar të vlerësojmë filozofinë Tuaj të bashkëpunimit akademik dhe njerëzor. Malta ashtu si Shqipëria e konkretisht rajoni i Vlorës ku është vendosur universiteti ynë është një vend i rrethuar nga deti dhe ne këtë e kuptojmë si një bekim nga Zoti dhe kjo gjë, natyrshëm më sjell në mendje Leviatanin biblik, mitin e fuqisë detare, mitin e thalasokracisë, pa të cilin kontinenti përtej Antlantikut, ndoshta ende nuk do të ishte zbuluar.
Malta është një vend ku ndërthuren gjuhët e kulturat, kurse qytetërimi i vendit ështe gjithnjë i qëndrueshëm e në lulëzim. Bota e sotme pikërisht për këtë ka nevojë: jo për luftë kulturash, gjuhësh e qyteterimesh, por për dialog dhe bashkëjetesë mes tyre.
Kjo që po them nuk është diçka teorike, që ka lidhje me prognozat dhe teoritë e Huntington-it apo të El Said-it. Jo, është fakt që në Mesdhe ka ishuj të ndarë me kufij për shkak të kthimit të gjuhës apo të besimit në kufij. Kurse Malta është një model.
Edhe Shqipëria dëshmon vazhdimisht se dëshiron të jetë një model i paqes së të ndryshmeve në unitet, pluribus in unum, shumë në një. Historia dhe realiteti ynë religjioz e human e dëshmon më së miri këtë kulturë.
Në këtë kontekst të gjerë filozofie dhe vlerësimi më lejoni t’Ju falenderoj në emër të studentëve, stafit akademik dhe në emrin tim personal: për ndihmën dhe mbështetjen altruiste dhe të pakursyer në ndërkombëtarizimin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, mbështetje që synon promovimin dhe aderimin e tij në rrjete universitare serioze e cilësore europiane e më gjerë, për kontributin e madh në ndërtimin e partneritetit akademik afatgjat mes dy institucioneve tona, me objektiv shkëmbimin e përvojave bashkëkohore në funksion të modernizimit të mësimdhënies, ngritjes së nivelit të kërkimit shkencor, edukimit të studentëve me vlerat më të mira qytetare europiane si dhe për vizionin në ndërtimin e urave kulturore, akademike e humane mes komunitetit shkencor të UV dhe Universitetit “Sancti Cyrilli”, Valleta të Maltës.
Në funksion të kësaj filozofie më duhet të konfirmoj edhe një herë vullnetin e UV që bashkepunimi ynë të eci i orientuar në këtë drejtim dhe me të gjitha format: me shkembim ekspertësh e ekspertizash, profesorësh e studentësh, programesh e disiplinash, botimesh e burimesh, sidomos sa i takon kulturës detare dhe gjithë specialiteteve që lidhen me të, që nga peshkimi e marina deri tek rregullimi ligjor i të drejtave në det e nën det, pa përjashtuar shkencat humane, që janë prioritet ynë; tregtinë, marrëdheniet ndërkombetare, sidomos të drejtës së identitetit, neutralitetit, brenda kuadrit të interdipendencës së botës së sotme dhe globalizmit kulturor e ekonomik.
I nderuar prof. Baldacchino!
Unë e di mire, se ju, për shkak të roleve, pozitave dhe kompetencave zyrtare, shtetërore, mbretërore, diplomatike e shkencore që përfaqësoni dhe ushtroni, jeni nderuar dhe çmuar me shumë tituj e vlerësime shumë herë më të rëndësishme e më prestigjioze se nderimi ynë me diplomën e dr. Honoris Causa. Por ne jemi shumë krenar që Ju jeni këtu sot dhe keni pranuar të merrni këtë diplomë nderi dhe nderimi. Ju sigurojmë se ky gjest i Senatit akademik të Universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës është një shprehje e sinqertë e konsideratës për Ju, autoritetin dhe vlerave tuaja. Pra, edhe në qoftë nderimi dhe vlerësimi për Ju diçka e përsëritur, ne mendojmë se vetëm dëshmimi i përsëritur i mirënjohjes është një vlerë e epërme humane dhe e vetmja mënyrë cila nuk vë në dyshim as palën që e jep dhe as atë që e merr.
Prandaj duke zgjedhur emrin tuaj për ta nderuar ne njëherësh zgjedhim të identifikohemi me profesionistin, dijetarin dhe shkencetarin e vërtetë, duke dëshmuar se vlerat intelektuale dhe humane janë pasaporta jonë e nderit; gjithashtu dëshmojmë se ç’farë modelesh adhurojmë, ndjekim dhe respektojmë.
Gjithashtu, duke nderuar Emrin, Personalitetin dhe Veprën Tuaj shkencore ne shpresojmë të kemi respektuar edhe zyrtarisht faktin qe Ju, nga kjo ditë e në vijim jeni pjesë e komunitetit akademik e qytetar të UV, pse jo një qytetar europian i Vlorës dhe i Shqipërisë, duke e shumëfishuar më tej kontributin e çmuar që i keni dhënë institucionit tonë, në tërësi dhe fakultetit ekonomik në veçanti
Mirënjohje dhe Falenderime për Ju prof. Baldacchino, mik i shquar i Universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës, mik i shquar i çdo pedagogu dhe studenti të këtij institucioni, i cili ju çmon, nderon dhe respekton.
Prof. Dr. ROLAND ZISI
Rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
Vlorë, 09. 07. 2021