Urim i Rektorit të UV Prof. Roland Zisi për muajin e Ramazanit

njoftime

Të nderuar studentë, pedagogë, punonjës të administratës së UV dhe qytetarë të Vlorës.

Me rastin e fillimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta duke ju uruar agjërim të lehtë, harmoni, qetësi shpirtërore dhe begati në familjet tuaja.

Uroj që në këtë muaj të shenjtë, të cilësuar si muaji i mirëkuptimit dhe solidaritetit mes njeri-tjetrit, të mbizotërojë paqja dhe harmonia.

Në këtë muaj Zoti hap dyert e mëshirës për të gjithë ne e në veçanti për ata të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri shpirtërore.

Gëzuar këtë rit besimi që  prej shekujsh lartëson shpirtrat dhe kthjellon mendjet e  besimtarëve, si një urë lidhëse mes sakrificës së vullnetshme hyjnore me efektet pozitive tokësore të kësaj sakrifice.
Ramazani për vet simbolikën që mbart, na bën njerëz më të devotshëm, duke rritur te gjithsecili vetëdijen mbi detyrat dhe të drejtat e duke na kujtuar rëndësinë e  vlerave njerëzore.

Uroj përzemërsisht që ky muaj i ripërtëritjes shpirtërore, i tolerancës, i lutjeve dhe i paqes të na shërbejë si shembull i kultivimit dhe forcimit të besimit tonë ndaj gjithë vlerave poztive që burojnë nga Islami.

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!