Shuhet rapsdodi dhe poeti i madh i polifonisë, Lefter Çipa

njoftime

Pas një sëmundjeje të rëndë, në datën 18/02/2021 u shua rapsodi dhe poeti i madh i polifonisë, Lefter Çipa.
Poeti u lind në Pilur, në 14/02/1942, në fshatin ku më së miri përziheshin të qenët bregdetar me të qënët malësor, aty ku zhurma e detit përplasej me faqen e malit dhe ikën drejt qiellit në trajtën e një jehone isoje të ardhur prej lashtësisë. Këtë jehonë e përfaqësoi më së miri krijmtaria poetike e Lefter Çipës. Studjuesi i mirënjohur, Akademik Shaban Sinani, thekson se poezia e Lefter Çipës, të kujton më së pari kangjeljet e Jeronim De Radës, që janë poezi dhe këngë njëherësh.
Ai ishte autor i librave poetikë:
• “Bejke e Bardhë” – (1976);
• ̈ “Shqipëri moj ballëhapur” – (1980);
• “Dheun tim përsipër marr” – (1989);
• “Bilbilat e vendit tim” – (1990),
• “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë” – (1994);
• “Bilbili që këndon vetëm” – (1999);
• “Për Kosovën prapë do ngrihem” – (1999);
• Tre vëllime në vitet 1993-94-95 “Kënga që tret lotin”,
• “Këngët e Akroqeranit” – (2002)
• “Kënga që tret lotin” – (2002)
• “Këngët e Ruzanës” – (2004)
• “Flet princi i polifonisë Lefter Çipa” – (2007)
• “Engjëj të polifonisë” – (2009)
• “Princi i dashurisë” – (2010)
• “Vij nga drita” – (2014)
• “Këngët e atdheut tim” – (2014)
• “Ëndrra nëpër duar” – (2017)
• “Ju dua si malli i zemrës : vjershërim shpirtëror për polifonët dhe vendin tim, Pilur” – (2018)
• “ Njerëz me dritë”, i dalë nga botimi në datën 15/02/2021
Gjithashtu poezia e tij është përfshirë në 15 Antologji të ndryshme të poezisë shqipe. Pjesë të zgjedhura të veprës së tij, janë përkthyer në disa gjuhë si anglisht, frëngjisht, italisht, greqisht etj.
Një vend qendror në jetën e tij artistike, zë dhe formimi dhe drejtimi si udhëheqës artistij i “Grupit Polifonik të Pilurit”, në repertorin e të cilit, përfshihen rreth 600 këngë me autorësi të tij. Gjithashtu ai ka autorësinë  e rreth 2300 teksteve të këngës polifonike, qytetare dhe asaj të lehtë. Krijmtaria e tij, ka shërbyer si burim frymëzimi për shumë kompozitorë dhe poetë të artit bashkëkohor. Lefter Çipa, është gjithashtu edhe bashkëautor në dhjetë dokumentarë të transmetuar nga televizione shqiptare dhe të huaja.
Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, ka krenarinë intelektuale të jetë tashmë, zotërues i dorëshkrimeve dhe regjistrimeve origjinale të punës së tij.
Në këtë pasuri bëjnë pjesë:
a. Pesë vëllime të pabotuara, dorëshkrime të Kolanës “Këngët e Atdheut tim”, nga të cilat është botuar, Vëllimi i parë.
b. Tekste autoriale të këngëve të interpretuara nga grupet më të njohura polifonike shqiptare, nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe deri në ditet tona:
– Tekste këngësh të ansambleve të këngëve qytetare,
– Tekste të këngëtarëve të njohur të muzikës popullore dhe asaj qytetare.
Këto vëllime janë të pajisura edhe me një aparat teksti dhe kalendar kronologjik për kohën, interpretuesit, vendin dhe eventin (ngjarjen) ku janë interpretuar për herë të parë këto krijime.
c. Në këtë krijimtari, përfshihen edhe pesë libra të pabotuar me poezi tipologjike autoriale të Lefter Çipës të cilat gjenden si dorëshkrime në 17 lidhje të mëvetësishme dhe në versionin origjinal të autorit.
d. Një monografi për jetën, veprimtarinë dhe historinë artistike të Grupit Polifonik të Pilurit, me një veprimtari intensive të shtrirë në pesë dekada.
e. Dy monografi për Polifonë në trevat e Bregdetit të Himarës, ku paraqiten edhe interpretime autoriale për karakteristika e specifika individualiteti në fushën e interpretimit dhe prurjeve të melodive në polifoninë shqiptare.
Në këto vëllime, ka vlera studimore për aspekte tipologjike të artit polifonik, poezisë orale si dhe për individualitetet interpretuese të saj.
Janë mbi 10 volume me hulumtime të poezisë orale, të grumbulluara individualisht nga autori Çipa, në ture ekspeditash të përbashkëta me Institutin e Kulturës Popullore si dhe individualisht, duke respektuar parimet studimore të grumbullimit dhe regjistrimit të tyre në versione të ndryshme.
f. Pjesë e këtij fondi janë pashmangshmërisht pasuria gjuhësore, idiomatike dhe vlerat etnoteksuale të autorit.
Kemi të bëjmë me një rast unikal “Dorëshkrime, trashëgimi kulturore” të papërsëritshme më parë. Ndoshta edhe në të ardhmen s’mund të ketë gjasa të rastisë një fenomen i tillë, i këtyre përmasave gjithëpërfshirëse, gjithështresore për fusha të diturisë në tërësi, sidomos në folkor, gjuhësi (dialektologji) e letërsi, me vlera të veçanta për albanologët.
Kontributi i pashembullt i tij, është nderuar me shumë tituj dhe dekorata, nga të cilat edhe ajo që është më e larta në Republikën e Shqipërisë, “Nderi i Kombit”.