[:sq]Takimi i hapjes së projektit Jean Monnet Module “FoLATE”
U mbajt sot në mjediset e Fakultetit të Shkencave Humane, UV, takimi për çeljen e projektit Jean Monnet Module ‘FoLATE’ – Foreign Language Teaching in and for European Contexts, i cili do të zbatohet në programet “Master profesional” në fushën e mësuesisë në gjuhën angleze dhe atë italiane. Takimi u realizua në mënyrë të kombinuar, online dhe fizike, me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të respektimit të masave për distancimin social.
Takimi u hap nga Prof. Dr. Roland Zisi, Rektor i UV-së, i cili përgëzoi stafin, vendas dhe të huaj, që kanë bërë të mundur fitimin e këtij projekti Jean Monnet Module, si dhe vuri në dukje rëndësinë që merr zbatimi i tij në kontekstin e gjerë të aspiratave për integrim, e më ngushtë, në atë të formimit të mësuesve të gjuhës së huaj.
E pranishme online në takim ishte edhe Znj. Ada Ramaj, koordinatore e Zyrës Kombëtare Erasmus, e cila, në emër të zyrës, shprehu përshëndetjet e rastit për këtë project dhe besimin për realizimin me sukses të tij, duke inkurajuar iniciativa të ngjashme në të ardhmen.
Takimi u përshëndet më pas nga Prof. Asoc. Veneranda Hajrulla, përgjegjëse e departamentit, e cila shprehu kënaqësinë për bërjen realitet të këtij moduli, i cili do të zbatohet në programet e Departamentit të Gjuhëve të Huaja.
Prof. Asoc. Armela Panajoti, lidere e modulit, prezantoi për të pranishmit detaje teknike në lidhje me synimet, aktivitetet dhe produktet e këtij projekti. Projekti është ambicioz për nga objektivat që synon të arrijë.
Stafi mësimdhënës i modulit, anëtarë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja (Prof. Asoc. Armela Panajoti, Prof. Asoc. Frosina Londo, Prof. Asoc. Bledar Toska), si dhe profesoreshat Prof. Julijana Vuco, Universiteti i Beogradit, Prof. Jelena Filipovic, Universiteti i Beogradit dhe Prof. Amela Lukač Zoranić, Universiteti Nderkombetar i Novi Pazarit, prezantuan veprimtaritë mësimore në të cilat do të angazhohen.
Moduli Jean Monnet FOLATE synon të ndikojë në formimin e mësuesve të ardhshëm të gjuhëve të huaja, aktualisht student në programet “Master profesional” në gjuhë angleze dhe italiane, perms njohurive për Bashkimin Evropian, institucionet, kulturën dhe politikat e tij, sidomos ato që kanë të bëjnë me gjuhën, komunikimin ndërkulturor, politikat gjuhësore, kuadrin evropian të referencave të kompetencës gjuhësore. Ai ka për qëllim krijimin e një perspective ndërdisiplinare të mësimdhënies dhe të të nxënit në fushën më të gjerë të studimeve evropiane.
[:]