Publikohet katalogu i Masterave Erasmus Mundus për vitin akademik 2020-2021


Publikohet katalogu i Masterave Erasmus Mundus për vitin akademik 2020-2021

 

Katalogut të Masterave të përbashkëta Erasmus Mundus u shtohen dhe 40 programe te reja Master për vitin akademik 2020-2021, duke arritur numrin e 120 programeve Master të përbashkët të vëna në dispozicion të studentëve në mbarë botën.

Programi Erasmus Mundus mundëson kryerjen e një programi master, vetëm me kohë të plotë, në dy ose më shumë universitete evropiane me bursë Erasmus +. Diploma që lëshohet në fund të studimeve është diplomë e përbashkët që njihet nga të gjitha universitetet evropiane.  Aplikimet për Master zakonisht hapen në muajin tetor dhe qëndrojnë të hapura deri në muajin dhjetor të çdo viti. Në disa raste, mund të kenë afat deri në muajin janar të vitit pasardhës.

Bursat Erasmus + mbulojnë të gjitha shpenzimet, përfshirë transportin, qëndrimin, pagesën e regjistrimit, sigurimin e jetës, kostot e vizës, etj.

Procedura e aplikimit:

  • Si fillim, brenda listës së masterave të ofruara, identifikoni ato programe që përshtaten më tepër me studimet që keni kryer ose janë të një fushe të përafërt.
  • Shqyrtoni informacionin e dhënë tek faqja e internetit e masterit që keni zgjedhur. Shikoni me vëmendje udhëzimet për aplikimin, kriteret, afatin e fundit, kërkesat gjuhësore dhe dokumentet e tjera që mund të nevojiten për dosjen e aplikimit. Çdo master ka kritere dhe afatet specifike.
  • Dokumentet që kërkohen përgjithësisht përfshijnë: një letër motivimi; diplomën dhe listën e notave; dëshminë e gjuhës angleze të mbrojtur me IELTS ose TOEFL, dy letra rekomandimi, dokumentin e identifikimit. Në faqen e internetit të çdo programi master do të merrni informacion më të detajuar për kriterin gjuhësor, numrin e pikëve të kërkuara, rastet kur studimet e mëparshme janë kryer në këtë gjuhë etj.
  • Sigurohuni që dokumentet e kërkuara të jenë të përkthyera në Anglisht dhe të noterizuara (në rast se nuk parashikohet në gjuhë tjetër).
  • Aplikimi juaj bëhet VETËM online nëpërmjet website-it të masterit.

*Mund të aplikoni paralelisht, në 3 programe të ndryshme master-i. Nëse jeni fitues në 2 prej tyre, do të ndiqni vetëm njërin.

Katalogun e masterave Erasmus Mundus, përfshirë dhe 40 masterat EM të perzgjedhur këtë vit,  mund t’a gjeni ne linkun e meposhtem:

https://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/news/40-new-joint-masters-join-erasmus-mundus-catalogue_en