Vizitë e Rektorit të UV, Prof. Dr ROLAND ZISI në BFSU, Pekin dhe Universitetin e Yangzhout, Kinë


Vizitë e Rektorit të UV, Prof. Dr ROLAND ZISI

 në BFSU, Pekin dhe Universitetin e Yangzhout, Kinë

25 – 31 maras 2018

Në datat 25-31 mars 2018, me ftesë të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, një delegacion arsimor shqiptar, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MASR z. Koli Bele, kreu një vizitë në Republikën Popullore të Kinës.

Delegacioni përbëhej nga Drejtori i Institutit “Konfuci” në Shqipëri z. Erion Malaj; rektori i Universitetit të Arteve në Tiranë, prof. Kastriot Caushi; rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës prof. Kseanela Sotirofski; rektori  i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë prof. Roland Zisi; këshilltar i kabinetit të kryetarit të bashkisë së Vlorës z. Jeton Puka; drejtori i shkollës së mesme publike “Ali Demi” në Vlorë z. Roland Dervishi dhe përfaqësuese e Ambasadës së R. P. të Kinës në Shqipëri znj. Yljana Ylli.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte thellimi i mëtejshëm i njohjeve, bashkëpunimeve dhe komunikimeve të ndërsjellta mes institucioneve arsimore e bashkive të të dy vendeve, kryesisht të qyteteve Beijing (Pekin) e Yangzhou (Jangzhou) në Kinë dhe Tiranës, Durrësit dhe Vlorës në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite delegacioni arsimor shqiptar u prit nga disa personalitete të larta qeveritare, akademike e shkencore të Pekinit e Yangzhout. Kryetari i delegacionit, Sekretari i Përgjithshëm i MASR z. Koli Bele, në çdo rast i informoi ata për zhvillimet arsimore, akademike e shkencore të Shqipërisë si dhe për aktivitetet e shumta të zhvilluara në vendin tonë, në kuadër të marrëdhënieve mes institucioneve arsimore shqiptare e kineze.

Delegacioni arsimor shqiptar fillimisht vizitoi Universitetin e Studimeve të Huaja në Pekin – BFSU (Beijing Foreign Studies University – 北京外国语大学), i cili është një universitet prestigjioz në Republikën e Kinës, si dhe partner i UT dhe Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Delegacioni arsimor shqiptar u prit fillimisht nga Dekani i Gjuhëve dhe Kulturave europiane z. Zhao Gang dhe më pas nga presidenti i këtij universiteti prof. Peng Long dhe drejtoresha e marrëdhënieve me jashtë prof. dr. Ke Jing.

Presidenti  i BFSU-së shprehu kënaqësinë për vizitën e mysafirëve nga Shqipëria, gatishmërinë për thellimin dhe materializimin e marrëdhënieve mes BFSU-së dhe universiteteve shqiptare. Gjithashtu ai vuri në dukje, mes të tjerash, edhe faktin e vizitës së tij në Shqipëri përpara disa muajsh dhe marrëveshjen akademike të lidhur me Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Në këtë kontekst, presidenti Long garantoi nga ana e tij realizimin e të gjithë projekteve dypalëshe të parashikuara, akordimin e bursave për studentë shqiptarë, sigurimin e shkëmbimeve të pedagogëve e studentëve kinezë e shqiptarë, kërkime e publikime të përbashkëta si dhe organizimin e konferencave shkencore me kontribute nga institucionet e të dy vendeve tona.

Për nder të delegacionit shqiptar z. Long shtroi një drekë e cila kaloi në një atmosferë të gëzueshme e miqësore.

Në  vijim delegacioni arsimor shqiptar zhvilloi një takim miqësor me studentët kinezë që studiojnë gjuhën dhe kulturën shqipe në BFSU. Ata iu përgjigjën interesit të studentëve rreth jetës studentore në universitetet dhe qytetet shqiptare (Tiranë, Durrës dhe Vlorë), historisë dhe kulturës shqiptare, gjendjes ekonomike e sociale aktuale, programeve të studimit etj. Biseda u zhvillua në gjuhën shqipe. Ishin jashtëzakonisht mbresëlënëse niveli i lartë i dijeve për gjuhën shqipe, interesi dhe kurioziteti për kulturën dhe historinë shqiptare, si dhe dëshira që studentët kinezë shfaqën për të ndjekur programe të shkurtëra studimi në UT, UD dhe UV.

Më pas delegacioni vizitoi zyrat qëndrore të Instituteve “Konfuci” për mbarë botën, HANBAN. Drejtoresha për Europën e këtij institucioni znj. An Shi e informoi delegacionin mbi rolin, misionin dhe statistikat e veprimtarisë së Instituteve “Konfuci” në botë dhe rëndësinë e veçantë që Instituti “Konfuci” – UT ka në  Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, në përhapjen e kulturës kineze si dhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për studime, kërkime e publikime të përbashkëta me institucione e studiues të këtij rajoni, në funksion të forcimit të miqësisë mes popujve e grupeve të ndryshme shoqërore.

Në vijim, sipas protokollit, në datën 27.04.2018 Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. Roland Zisi, zhvilloi një takim me kolegët kinezë të Katedrës së Gjuhës dhe Kulturës shqiptare në BFSU. Në këtë takim ishin të pranishëm albanologia e shquar, drejtoresha e marrëdhënieve me jashtë për BFSU-në dhe drejtore e programit të doktoratës në albanistikë prof. dr. Ke Jing; shefja e katedrës prof. Fenghua Chen; studiuesi i botës shqiptare z. Hongqi Wang dhe përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën kineze Çen En Bo dhe profesoresha e gjuhës shqipe Jin Qiao.

Biseda me albanologët e nderuar u përqendrua tek niveli i ri i marrëdhënieve shqiptaro-kineze, krijimi i një klime të re premtuese në studimet bashkëkohore albanistike, konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve akademike mes BFSU-së dhe UV-së, sidomos midis dy katedrave simotra që zhvillojnë programe studimi në mësusesi të shqipes dhe në albanologji, si dhe tek idetë e përbashkëta në fushë të bashkëpunimeve akademike e kulturore të ardhshme.

Në vijim, sipas kalendarit paraprak akademik të BFSU-së dhe UV-së, prof. Roland Zisi, në cilësinë e anëtarit të komisionit, mori pjesë në seancën paraprake të mbrojtjes së doktoraturës së pedagogut shqiptar z. Ruzhdi Stringa, me tezën: “Imazhi i Kinës në tekstet e gjuhës shqipe”.

Një takim i ngrohtë, frytdhënës dhe vëllazëror u zhvillua në Yangzhou, qytet në partneritet me bashkinë e Vlorës. Për nder të delegacionit shqiptar, nënkryetari i bashkisë së këtij rajoni organizoi një darkë pune. Tema kryesore e bisedimeve ishin marrëdhëniet midis qytetit Yangzhou dhe Vlorës, të cilat në vitin 2015 kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila parashikon një varg aktivitetesh të përbashkëta në fushën ekonomike, urbanistike, kulturore dhe arsimore. Këshilltari i kabinetit të kryetarit të bashkisë së Vlorës z. Jeton Puka dhe drejtori i shkollës së mesme publike “Ali Demi” të Vlorës z. Roland Dervishi e informuan zyrtarin e lartë të Yangzhout për interesin e shtuar ndaj ekspertizës kineze në fushë të administrimit të qytetit bregdetar dhe për dëshirën e maturantëve vlonjatë për të studiuar në universitetet kineze. Darka kaloi në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore.

Vizitën e fundit delegacioni arsimor shqiptar e zhvilloi në Universitetin e Yangzhou-t. Sipas protokollit të vizitës ishte parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit akademik mes Universitetit të Yangzhou-t dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Fillimisht delegacioni shqiptar u prit nga z. Qin Xu, drejtor i zyrës ndërkombëtare dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij institucioni, të cilët informuan për karakterin, qëllimet, misionin dhe arritjet e universitetit të tyre, më pas edhe nga Presidenti i këtij universiteti prof. dr. Jiao Xinan. Prof. dr. Kseanela Sotirofski, rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, pasi falenderoi në emër të delegacionit shqiptar, për mikpritjen e palës kineze, e informoi kolegun e saj mbi misionin dhe arritjet e institucionit arsimor që drejton. Të dy rektorët zhvilluan një bisedë të gjatë e konstruktive, ku dominonin problematikat universitare e akademike dhe më pas nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, mes një atmosfere vëllazërore e miqësore.

Në të gjitha vizitat, takimet, drekat apo darkat zyrtare, miqtë e shquar kinezë, nuk harronin të sillnin në bisedë temën e kinematografisë shqiptare, aq e njohur dhe e pëlqyer në vendin e tyre. Rektori i Universitetit të Arteve në Tiranë dhe aktori i mirënjohur i dhjetëra prodhimeve kinematografike shqiptare z. Kastriot Caushi, në çdo rast i informoi ata për vlerat artistike të filmave shqiptarë dhe jehonën e tyre në botën kineze, si dhe për prezencën dhe ndikimin e kinematografisë kineze tek shqiptarët, apo të çdo prodhimi kinematografik botëror, të ushqyer dhe frymëzuar nga personazhe, ngjarje, dukuri dhe histori kineze. Në diskursin e tij për këtë çështje, në çdo rast, z. Caushi, evidentoi me mjeshtëri dhe humor, karakterin e veçantë dhe specifik të fabulave kineze, të cilat burojnë nga jeta e një qytetërimi të hershëm, unik dhe të papërsëritshëm apo të pangjashëm me tjetër.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Kinë delegacioni shqiptar pati rastin të vizitojë edhe vende, qendra ndërtime, monumente apo objekte me vlera të rralla historike, arkitekturore, kulturore e muzeale si: Sheshi Tien-An-Men, Qyteti i Ndaluar, Muri i Madh Kinez, biblioteka, liqene, parqe, kopështe perandorake, arkitekturë moderne vertikale etj.

Ishte një vizitë e veçantë, në një vend të veçantë, me kulturë të veçantë.

Falenderime dhe mirënjohje znj. Jiang Yu, ambasadore e RP të Kinës, në Republikën e Shqipërisë, për ftesën e vizitës dhe respektin e treguar ndaj pjesëtarëve të delegacionit shqiptar!

Falenderime dhe mirënjohje personaliteteve, presidentëve dhe profesorëve të universiteteve dhe bashkive kineze për mikpritjen, bujarinë dhe altruizmin e treguar ndaj nesh.

Falenderime gjithashtu edhe drejtorit të Institutit “Konfuci” në Tiranë z. Erion Malaj, që dëshmoi, gjatë gjithë vizitës, se ishte një njohës i thellë i botës dhe kulturës kineze. Pa rolin e tij si udhërrëfyes akademik, kulturor dhe turistik, do të ishte e vështirë të perceptohej dhe kuptohej aq mirë nga ne unicitetiti i qytetërimit kinez.

 

Prof. dr. Roland Zisi;

Rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë;

Anëtar i delegacionit arsimor shqiptar që vizitoi Republikën Popullore të Kinës;

26 – 31 mars, 2018.