Takim i Fakultetit të Shendetit Publik, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit.


Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, 14 Nëntor 2017 ”, Qendra Studimore për Shëndetin Publik në bashkëpunim me Departamentin e Infermierisë, Fakulteti i Shëndetit Publik, UV, organizoi aktivitetin promocional me temë:

Komuniteti, moshat e treta dhe diabeti – e drejta jonë për një të ardhme të shëndetshme” me koordinator Glodiana Sinanaj dhe grup pune : Fatjona Kamberi, Brunilda Subashi, Denada Selfo dhe Rozeta Luçi.

Diabeti është një sëmundje kronike, për shkak të të cilës, trupi nuk mund të prodhojë sa duhet, si dhe të përdorë me efiçencë insulinën, hormonin që kontrollon dhe mban në nivele normale glukozën në gjak. Sëmundja e diabetit ka kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Nëse nuk trajtohet, diabeti mund të shkaktojë ndërlikime të tilla si verbimi apo sëmundjet Kardio-Vaskulare.

Qëllimi i aktivitetit ishte sensibilizimi dhe informimi i moshave të treta, në lidhje me diabetin, depistimin e hershëm, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së personave me diabet dhe atyre në rrezik.

Vendi i aktivitetit: Qendra Ditore Multidisiplinare për të Moshuarit, Vlorë.

Të moshuarve ju ofrua informacion në lidhje me sëmundjen e diabetit si dhe matje falas të glicemisë dhe presionit arterial. Këto matje u realizuan nga studentët e Fakultetit të Shëndetit Publik.

Aktiviteti evidentoi se pothuajse të gjithë të moshuarit, pjesëmarrës kishin nivele të larta të glukozës në gjak, ndërkohë që referonin se nuk vuanin apo merrnin mjekim për diabet.

Domosdoshmëria e ngritjes së cilësisë për screening të hershëm por edhe rëndësia për menaxhimin e mirë të diabetit qëndron si parakusht për shmangien e komplikacioneve  të lidhura me diabetin në moshat e treta.