[:sq]KREDITET
- Programi i studimit Bachelor në “Kimi” siguron Diplomë Universitare Bachelor në Kimi. Ky program organizohet dhe shprehet përmes grumbullimit të krediteve sipas Sistemit Europian të Transferimit të Krediteve (ECTS). Për të fituar këtë diplomë nevojiten 180 kredite (ECTS). 60 kredite (ECTS) përfaqësojnë ngarkesën e punës së një viti akademik studimesh.
- Një krediti të formimit të arsimit të lartë i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit (1 orë mësimore pune llogaritet 50 minuta). Sasia mesatare e punës së kryer nga studenti gjatë një viti studimesh universitare me kohë të plotë është 1500 orë mësimore (60 kredite), që përfshijnë orë në auditor dhe orë punë të pavarur.
- Orët e punës së pavarur të studentit, zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve. Ngarkesa mësimore javore në auditor, për leksione, seminare, ushtrime e laboratorë, forma të kontrollit të vazhdueshëm dhe seanca të praktikave të zhvilluara në auditor, është nga 20 deri në 25 (njëzet e pesë) orë mësimore 50-minutëshe.
- Studenti fiton kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese si: lëndë, praktikë, diplomë, etj., vetëm në rastin e një vlerësimi pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tij. Për vlerësimin e dijeve të përfituara përdoren forma të ndryshme kontrolli, që kombinojnë vlerësimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (i cili mund të jetë provim, por jo vetëm).
[:]