njoftime

Ndahet nga jeta shkrimtari Ismail Kadare. Mesazh i Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi

Data 1 Korrik, 2024 solli një lajm të trishtë për shoqërinë tonë, letërsinë botërore dhe atë shqiptare. Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare u nda nga jeta duke lënë prapa dhimbje dhe trishtim. Ai la mes nesh një dhuratë të çmuar, më të çmuarën që lënë njerëzit e mëdhenj dhe gjenitë: Modelin e shkëlqyer të qytetarit europian dhe Veprën e tij letrare, veprën me brilante të letërsisë shqipe. Kjo vepër do të mbetet e pavdekshme sepse ishte Ismail Kadare ai që e vendosi Shqipërinë në hartën letrare botërore dhe përshtati orën e letërsisë sonë me orën e madhe universale ndërkontinentale. Veprat e tij do të vazhdojnë të lexohen në mbarë botën. Kadare është vlerësuar me dhjetra tituj ndërkombëtar ndërsa veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë ka privilegjin ta këtë nderuar atë me titullin më të lart që ofron: “Doctor Honoris Causa”.

Në emër të stafit akademik, studentëve, stafit administrativ dhe në emrin tim personal i shprehim ngushëllime familjes dhe të afërmve të tij.

 Nderime të perjetëshme zoti Kadare, Mjeshtër i Madh i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e botërore dhe Arkitekt i Identitetit Kombëtar Shqiptar.