Aktivitete njoftime

Aktivitet për Ditën Botërore të Aktivitetit Fizik

Në dt. 6 Prill 2024, me rastin e Ditës Botërore të Aktivitetit Fizik, Qendra Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik në bashkëpunim me Departamentin e Kujdesit Shëndetësor, pranë  Fakultetit të Shëndetit, Universiteti ‘Ismail Qemali’ Vlorë, zhvilloi aktivitetin promocional me temë “Lëviz dhe jeto i/e lumtur!”.

Këtij aktiviteti sensibilizues iu bashkuan edhe studentët e vitit të dytë Infermier i Përgjithshëm të Fakultetit të Shëndetit,

Ky aktivitet u realizua në trajtën e një marshimi sensibilizues, me nisje nga Fakulteti i Shëndetit drejt shëtitores Lungomare dhe synoi ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me rëndësinë e aktivitetit fizik dhe benefitet e tij në shëndet, rolin e tij në mbajtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, në parandalimin e sëmundjeve, në përmirësimin e cilësisë së jetës, për një jetë sa më të gjatë dhe një plakje sa më të shëndetshme.

 

Siç e dimë të gjithë, aktiviteti fizik/ stërvitja ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trupin dhe mendjen tonë,
1- duke kontribuar në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit,
2- duke reduktuar simptomat e depresionit dhe ankthit,
3- duke siguruar rritjen dhe zhvillimin e të rinjve.
Megjithatë, 1 në 4 të rritur nuk i plotëson nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik.
Përveç kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 5 milionë vdekje në vit mund të parandalohen plotësisht duke qenë më aktivë në mënyrë të vazhdueshme.
Dita Botërore e Aktivitetit Fizik festohet që nga viti 2002 për të inkurajuar secilin prej nesh që të lëvizë për një shëndet më të mirë global!

Këshilla për një jetë aktive

  1. Ecni 30 min në ditë, 10.000 hapa në ditë duke përdorur pedometrin.
  2. Gjeni  sportin që  përshtatet me stilin tuaj të jetesës.
  3. Realizoni aktivitete në grup, përfito nga koha me miqtë dhe familjen.
  4. Harrojeni ashensorin, shkallët janë zgjedhja më e mirë.
  5. Evitoni qëndrimin ulur për një kohë të gjatë, lëvizni.
  6. Bëni aktivitete që ju tërheqin, derisa ato të bëhen pjesë e juaja ditë pas dite.
  7. Gjeni disa minuta në ditë për të bërë zgjatje/stretching, përmirësoni higjenën tuaj posturale.