njoftime

UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË,  THELLON BASHKËPUNIMIN INSTITUCIONAL DHE AKADEMIK ME UNIVERSITETIN E SALENTOS , LECCE, ITALI. REKTORI I UV MERR PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE: “L’EREDITÀ DI TARANTO – La scultura tra IV e III sec. a. C.”

 

Në kuadër të ndërkombëtarizimit të UV dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme me universitete europiane, në datat 24 dhe 25 janar 2024, me ftesë të Rektorit, Prof. Fabio Pollice, Rektori i UV, Prof. Roland Zisi, i shoqëruar nga zëvëndësrektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zhvillimin Institucional Prof. Enkelejd Mëhilli, zhvilloi një takim pune në Universitetin e Salentos, Lecce, Itali. Në ditën e parë të takimit, Rektori i UV, fillimisht u prit nga Rektori i UNISALENTO-s, Prof. Fabio Pollice dhe Prof. Gennaro Scarselli, zëvëndësrektor për Marrëdhëniet me Jashtë.

Më pas  Rektori Prof. Fabio Pollice, e ftoi Rektorin e UV, të merrte pjesë në Konferencën Shkencore me temë: “L’EREDITÀ DI TARANTO – La scultura tra IV e III, sec. a. C.” (“Trashëgimia e Tarantos. Skulptura midis shekujve IV dhe III para Krishtit”që zhvillohej në një nga auditoret kryesore të UNISALENTO-s. Në emër të studentëve dhe profesorëve të UV, Rektori, Prof. Roland Zisi, përshëndeti organizatorët, studiuesit dhe kërkuesit e kësaj konference, vlerësoi kontributin për rastet studimore të prezantuar prej tyre dhe i ftoi ata që një konferencë e tillë, me tematikë mbi arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore të përbashkët, ta zhvillojnë në të ardhmen edhe në Vlorë.

Qëllimi i vizitës së delegacionit të UV në UNISALENTO ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh institucional në fushën akademike, organizimin e përbashkët të kërkimit shkencor, organizimin e konferencave shkencore, shkëmbimin e eksperiencave dhe burimeve njerëzore, përtej programit Erasmus+, si dhe konsolidimi i marrëdhënieve konkrete në zhvillimin e  programeve të përbashkëta të studimit. Të dy rektorët diskutuan mbi ecurinë e programit të studimit Bachelor “Linguistikë e aplikuar në fushën e Turizmit”, i cili,  për Universitetin e Salentos, është një program studimi aktiv, nga viti akademik 2023-2024, ndërsa për UV do të jetë aktiv nga viti 2024-2025 e në vijim.

Të dy delegacionet diskutuan më pas dhe vendosën për planin e veprimit për nisjen e procedurave të hartimit të dokumentacionit për zhvillimin e një programi të ri studimi Double Degree, në fushën e Infermierisë. Gjithashtu, u diskutua gjithashtu propozimi i Universitetit të Salento-s, Lecce, Itali, dhe Universitetit të Vigo-s, Spanjë, për të aplikuar së bashku me Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, në kuadrin e Programit “Erasmus Mundus”, për implementimin e një Masteri të përbashkët në “Gender on Digital”.

Pjesë e diskutimeve të dy delegacioneve ishte edhe organizimi, mes UV dhe UNISALENTO-s, i një Konference Shkencore Ndërkombëtare, në muaji Korrik të këtij viti, në fokus të së cilës do të jetë ekonomia dhe zhvillimi i bizneseve të rajonit jugor shqiptar dhe rajonit të Pulias, Itali. Kjo konferencë do të jete pjesë e veprimtarive të Edicionit të 13 të “Brindisi-Valona, Regata del Grande Salento” që do të zhvillohet 4 – 6 korrik 2024.

Në datën 25. 01. 2024, të ftuar nga z. Roberto Casaluci, Kryetari i Bashkisë së Castrignano de’ Greci, Rektori Prof. Fabio Pollice dhe Rektori Prof. Roland Zisi, të shoqëruar nga zëvëndësrektorët Prof. Gennaro Scarselli dhe Prof. Enkelejd Mëhilli, vizituan këtë njësi administrative të rajonit të Pulias.

Z. Roberto Casaluci, shprehu kënaqësinë për grupin e përbashkët universitar që vizituan komunën që ai drejton dhe i njohu në vijim të ftuarit me historinë dhe trashëgiminë e veçantë kulturore të kësaj bashkie, duke u ndalur veçanërisht tek respekti dhe nderimi i tij për komunitetin e vogël të shqiptarëve, të vendosur aty pas viteve 1990, të cilët me punën dhe vlerat e tyre janë bërë pjesë e komunitetit të madh të Castrignano de’ Greci-t. Ai gjithashtu shprehu interes për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes komunës që drejton dhe rajonit të Vlorës.