Ditën e mërkurë datë 22 Nëntor, në sallën e bibliotekës “Nermi Falaschi Vlora” pranë Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Ambasadori Britanik Shkëlqesia e tij Z.Alastair King-Smith zhvilloi një vizitë për të diskutuar me studentë dhe pedagogë, takim ky i cili u zhvilluan nën kujdesin e veçantë të Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi.
Shkëlqesia e tij Z.Alastair King-Smith u mirëprit në UV nga Zv. Rektori për anën Akademike Prof. Assoc. Frosina Londo dhe Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor & Zhvillim Institucional Prof. As. Enkelejd Mëhilli.
I pranishëm në këtë takimi ishte edhe Kryetari i Bashkisë Vlorë Z.Ermal Dredha.
Zv. Rektori Enkelejd Mëhilli në fjalën e tij përshëndetëse në emër të Rektorit të UV, Prof. Dr. Roland Zisi, uroi mirëseardhjen e Ambasadorit si dhe shprehu kënaqësinë dhe privilegjin për vizitën e Shkëlqesisë së tij në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.
Kryetari i Bashkisë Vlorë Z. Ermal Dredha përshëndeti takimin duke u fokusuar tek rëndësia dhe potenciali që ka rinia vlonjate në zhvillimin e qytetit dhe shoqërisë.
Shkëlqesia e tij Z.Alastair King-Smith në fjalën e tij përshëndetëse foli për mundësitë arsimore në Britaninë e Madhe, duke përfshirë edhe programin ndërkombëtar të bursave në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Një ndër pikat e tjera të diskutuara ishte dhe programi ‘Chevening’, fokus ky, i Ambasadës Britanike në ngritjen e kapaciteteve të rinisë në Shqipëri, si dhe çështjeve të migracionit. Paralelisht, Shkëlqesia e tij theksoi dhe mundësinë e bashkëpunimeve midis universiteteve Britanike dhe UV -së.
Më pas, studentët e UV-së zhvilluan një bashkëbisedim me Ambasadorin duke u fokusuar në çështjet e arsimit, emigracionit, integrimit të Shqiperisë në BE por edhe në daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.